Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar protokollin që përmirëson më tej regjimin e lëvizjes së lirë ndërkufitare për banorët e zonave në të dy anët e kufirit. Firma është vënë në Tiranë nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe homologu i tij Bledi Çuçi.
Sipas dy ministrave ky protokoll është një tjetër hap përpara në procesin e lehtësimit meqë krahas lirisë së lëvizjes më këmbë shtohet dhe kalimi me automjete për nevoja të jetës së përditshme të këtyre banorëve.
“Puna jonë e përbashkët, e vazhdueshme po sjell rezultate, po kërkon përmirësim të vazhdueshëm edhe të marrëveshjeve në mënyrë që jetën e qytetarit ta lehtësojmë dhe ne të jemi në shërbim të tyre sa më shumë që është e mundshme. Jam i bindur që me këtë ne do t’i përafrojmë jo vetëm institucionet por edhe qytetarët e dy vendeve tona dhe po ashtu jam i bindur, duke ditur edhe bashkëpunimin e deritanishëm, që kjo nuk do të jetë as marrëveshja e fundit por do të jetë një vazhdimësi e shumë marrëveshjeve të cilat i kemi nënshkruar dhe do të vazhdojmë t’i nënshkruajmë së bashku deri sa të vijë koha që realisht qytetari i dy vendeve të mos ta dijë se ku ndodhet apo ku punon”, ka thënë Sveçla.
Ndërsa ministri i Brendshëm në Shqipëri, Bledi Çuçi ka thënë se do të bëjnë të pamundurën që shtetasi e Kosovës dhe Shqipërisë të qarkullojë lirshëm në të dy anët e kufirit.
“Ju e dini qëndrimin tim që unë do të doja që të mos kishte marrëveshje fare, ose më mirë të kishte vetëm një marrëveshje, të mos kishte kufi fare dhe kjo lëvizje e lirë që ne po u mundësojmë banorëve kufitarë brenda 30 kilometrave të secilit vend, të ishte për gjithë territorin qoftë të Kosovës qoftë të Shqipërisë, por deri atëherë meqë jetojmë në Evropë dhe jemi bashkësi e Evropës dhe duhet të respektojmë të gjitha këto marrëveshjet ndërkombëtare me të cilat jemi pjesë, deri atëherë bëjmë të pamundurën që shtetasit tanë të lëvizin, të qarkullojnë sa më lirshëm”, ka thënë ai.