Kosova dhe Arabia Saudite kanë nënshkruar marrëveshje për shërbime ajrore.
Kjo marrëveshje është nënshkruar mes ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, me zëvendëspresidentin ekzekutiv për transportin ajror dhe bashkëpunim ndërkombëtar, Ali Bin Mohammed Rajab.
Aliu ka potencuar se kjo marrëveshje është me rëndësi të veçantë për aviacionin civil e cila krijon mundësinë për fillimin e linjave ajrore direkte ndërmjet të dy vendeve.
“Nënshkrimi i marrëveshjes shënon një moment në angazhimin e dy kombeve tona për përmirësimin e lidhjes, nxitjen e rritjes së ekonomisë dhe nxitjen e shkëmbimit kulturor. Transporti ajror nuk është thjeshtë një mjet udhëtimi, ai është një urë që lidh njerëzit, bizneset dhe idetë përtej kufijve.
Mbretëria e Arabisë Saudite ka qenë prej kohësh një partner kyç në rajonin tonë dhe kjo marrëveshje do të lehtësojë lëvizjen më të madhe të mallrave dhe njerëzve ndërmjet vendeve tona. Do të hapë mundësi të reja për linjat tona ajrore, do të forcojë turizmin dhe ekonomitë tona”, ka thënë ai.
Zëvendëspresidenti ekzekutiv për transportin ajror dhe bashkëpunim ndërkombëtar, Ali Bin Mohammed Rajab, i cili po qëndron për herë të parë në Kosovë tha se po vendi po përjeton një zhvillim.
“Ne e kuptojmë se kemi një rritje prej 50 për qind në pesë vitet e para dhe kemi synimet se kjo do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme. Arabia Saudite është një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, Arabia Saudite gjithmonë ka mbështetur Kosovën në të gjitha aspektet.
Ky është padyshim rezultat i marrëveshjes që po nënshkruajmë sot, presim që ndikimi i nënshkrimit të promovojë më shumë turistë sauditë që të vizitojnë Kosovën dhe të shijojnë bukuritë e Kosovës dhe mirësinë e popullit të Kosovës”, ka potencuar ai.