Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka ndarë 50 mijë euro për shërbime byfeje. Kontrata parasheh furnizim me kafe, pije dhe produkte të tjera për zyrtarët, shkruan Gazeta Metro
Në kohën kur çmimi i naftës vazhdon të rëndojë buxhetin e qytetarëve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e udhëhequr nga Mimoza Kusari-Lila, ka dhënë një tender në vlerë të parashikuar prej 50 mijë eurosh për shërbime byfeje.
Kontrata përfshin furnizim me kafe, pije dhe produkte të tjera për nevojat e zyrtarëve të ministrisë për një periudhë dyvjeçare, duke nxjerrë në pah dallimin mes realitetit ekonomik të qytetarëve dhe shpenzimeve institucionale.
Sipas të dhënave zyrtare, vlera e parashikuar e kontratës është 50 mijë euro, ndërsa kontrata është dhënë më 25 mars 2026 dhe pritet të nënshkruhet më 26 mars 2026. Në këtë procedurë kanë marrë pjesë gjithsej katër operatorë ekonomikë.
Kontrata i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë “MALIS KONTO SH.P.K.” dhe “AKTIV SH.P.K.”, me adresë në rrugën “Bajram Kelmendi 52/A” në Prishtinë.
“Shërbimet e byfes për nevojat e MINT -Ritenderim. Vlera e parashikuar e kontratës: 50,000.0. Data e dhënies së kontratës 25.03.2026. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 26.03.2026. Numri i tenderëve të pranuar: 4 : Grup i Operatorëve Ekonomik MALIS KONTO SH.P.K.; AKTIV SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës 3.94 euro”.
Lënda e kontratës përfshin furnizimin me një gamë të gjerë produktesh për byfenë e ministrisë, duke përfshirë kafe espresso, makiato të vogël dhe të madhe, kafe me vanilje dhe klasike, kafe amerikane, qumësht me çokollatë, çajra të ndryshëm, si dhe pije të ftohta.
Lista përfshin gjithashtu pije të gazuara si Coca-Cola, Fanta, Sprite dhe Schweppes në kanaçe 0.33 litra, lëngje frutash në shishe qelqi 0.25 litra (pjeshkë, mollë, portokall, dredhëz, ananas, vishnje, boronicë), si dhe ujë të gazuar dhe të pagazuar në disa paketime: 0.33 L, 0.5 L dhe 1.5 L.
Sipas kushteve të kontratës, të gjitha produktet duhet të jenë të kualitetit të lartë, ndërsa operatori ekonomik është i obliguar që çdo artikull të jetë i disponueshëm në çdo kohë, varësisht nga kërkesat e zyrtarëve të ministrisë.
Po ashtu, operatori i përzgjedhur duhet të përmbushë të gjitha kriteret fito-sanitare dhe të jetë i pajisur me certifikatë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUVK)./gazetametro.net










