Më shumë se 30 vjet pasi këngëtari i Nirvana-s u gjet i vdekur në moshën 27-vjeçare, rasti mbetet i diskutueshëm – dhe kjo podkastere nuk po e lë çështjen të qetë.
Në dokumentarin e ri për jetën e saj, Antiheroina [Antiheroine], Courtney Love duket e lodhur nga fakti që disa njerëz vazhdojnë ta fajësojnë për vdekjen e bashkëshortit të saj të ndjerë. “Kurt Cobain futet në qendër të vëmendjes para se të hyjë Courtney”, thotë ajo, duke shtuar: “Nuk do të vijë kurrë ajo kohë kur do të largohem nga ndonjë festë apo darkë me 20 veta dhe një ose dy prej tyre të mos bëjnë shaka: ‘Vë bast se ajo e vrau’”.
Më 8 prill 1994, trupi i liderit të [grupit] Nirvana-s u zbulua nga një elektricist që mbërriti në shtëpinë e tij në Sietël për të instaluar një sistem sigurie. Cobaini ishte zhdukur për gati një javë pasi u largua – duke kapërcyer gardhin – nga Qendra e Rehabilitimit “Exodus” në Los Anxhelos. Mbi kraharorin e tij ndodhej një armë gjahu “Remington Model 11”, kalibër 20, të cilën e kishte përdorur për t’ia dhënë fundin jetës së tij.
Si një version i Gjeneratës X i vrasjes së presidentit John F. Kennedy, vdekja e Cobainit, vetëm 27 vjeç, ishte aq tronditëse saqë u bë magnet për teori të ndërlikuara konspirative që pretendonin se ai ishte vrarë. Besimtarët e konspiracionit i drejtohen policisë së Sietlit për çdo javë me kërkesa për rihapjen e çështjes.
Këto teori janë ringjallur këtë muaj falë podkasteres dhe “hulumtueses së pavarur” Michelle Wilkins. Një video hyrëse në faqen e saj në YouTube, Kush e vrau Kurtin? [Who Killed Kurt?] hapet me një zë të montuar të Cobainit që flet në mënyrë rrëqethëse – sikur nga përtej varrit. “Mjaft me këto budallallëqe për vetëvrasjen. U vrava me gjakftohtësi”, thotë zëri – teksa dëgjohet një e shtënë dramatike me armë – “prej njerëzve që ishin pranë meje.”
Wilkinsi tërhoqi vëmendjen e mediave duke mbledhur një ekip specialistësh nga sektori privat, për të shqyrtuar dokumentet e qasshme për publikun (raportet e policisë, fotografitë e vendngjarjes) dhe një kopje të pjesshme të autopsisë së Cobainit, e cila pretendohet se iu dha nga një i afërm i tij. Ajo realizoi një punim të rishikuar nga kolegët, të botuar në International Journal of Forensic Science, i cili pohon se Cobaini ishte viktimë e një vrasjeje dhe se skena ishte inskenuar për t’u dukur si vetëvrasje. Teoria e tyre? Cobainit ia dhanë një “hotshot” (një dozë shumë e pastër heroine) përpara se dora e tij të vendosej mbi tytën e armës.
Ndër gjetjet e tyre përfshihen mostrat e bartjes së gjakut në xhinset e Cobainit, që tregojnë se trupi i tij ishte lëvizur pas vdekjes. Raporti përmend gjithashtu dëmtime të organeve që, sipas tyre, nuk përputhen me vdekjen nga një armë gjahu (por, përputhen me një mbidozë heroine), si dhe mungesën e gjakut të pompuar në mushkëritë e tij. “Patologët tanë mjekoligjorë besojnë se ai ishte i vdekur përpara se arma të shkrepej”, thotë Wilkins. “Nuk ka asnjë mundësi që ai ta ketë përdorur atë armë”. Për më tepër, testimet e tyre me armë identike hodhën dyshime mbi mundësinë që vetë Cobaini ta kishte përdorur armën e madhe, përderisa niveli jashtëzakonisht i lartë i heroinës në gjakun e tij, sipas tyre, e bënte të paaftë për ta operuar.
Ndërkohë, analiza e shkrimit të dorës në letrën e vetëvrasjes së Cobainit tregoi se ajo përmbante dy stile të ndryshme – ku pjesa e fundit, sipas tyre, i përkiste dikujt “të afërt me Cobainin”. “Nëse e shikoni letrën, do të vini re se dy pjesët duken ndryshe”, thotë Wilkins. “Në pjesën e sipërme flitet për Nirvana-n dhe për planin për të lënë grupin. Katër rreshtat e fundit janë lamtumira më absurde dhe dramatike – ‘Mirupafshim, botë mizore’ – që keni lexuar ndonjëherë”.
Pasi e zbuloi Nirvana-n në moshën 17-vjeçare, Wilkinsi u bë adhuruese e përkushtuar. Çfarë e ka shtyrë atë dhe të tjerët që t’i kalojnë tri vjet (dhe të mbledhin “dhjetëra mijëra dollarë”) për të hetuar vdekjen e Cobainit, tani, më shumë se 30 vjet pas ngjarjes? “Ka ende të rinj që i japin fund jetës sepse besojnë se Kurti e bëri këtë”, përgjigjet Wilkins, 50 vjeçe. “Është një shqetësim shëndetësor edhe sot. Kjo duhet të ndalet”. Ajo shton se “në vitin 2026, njerëzit kërkojnë transparencë. Janë lodhur duke u gënjyer ose duke u manipuluar nga autoritetet”.
Një ditë pasi u zbulua trupi i Cobainit, presidenti Bill Clinton e pyeti Eddie Vedderin e [grupit] Pearl Jam-it nëse duhej t’i drejtohej kombit (Vedderi e këshilloi të mos e bënte). Është e lehtë të kuptohet pse. Nirvana e solli skenën nëndheshme në rrjedhën kryesore: albumi Nevermind i vitit 1991 e rrëzoi Michael Jacksonin nga maja e top-listës “Billboard”. Te figura e Cobainit shoqëria krijoi një “zë të një brezi”, rebel dhe ngurrues, i cili u bë edhe më i famshëm pas vdekjes së tij.
Edhe sot, pjesërisht për shkak se iu bashkua tragjikisht “Klubit 27” – ku bëjnë pjesë Jimi Hendrix dhe Amy Winehouse – Cobaini mbetet i ngrirë në kohë si simbol përfundimtar për autsajderat e torturuar.
Teoritë konspirative filluan të qarkullonin menjëherë pas vdekjes së Cobainit, por ishte dokumentari i diskutueshëm i vitit 1998, Kurti dhe Kortni [Kurt & Courtney] nga Nick Broomfield, ai që i bëri ato pjesë të rrjedhës kryesore. Dyshimet e Wilkinsit ndaj përfundimit zyrtar të policisë së Sietlit për vetëvrasje, u ndezën pikërisht pasi ajo pa filmin.
Në të takojmë muzikantin e pankut, El Duce, i cili pretendon se Love ia kishte ofruar 50 mijë dollarë për ta “hequr qafe” Cobainin (pak më vonë, El Duce u gjet i vdekur pasi kishte përfunduar i dehur mbi shinat e trenit). Intervistohet gjithashtu babai i lëçitur i Loveit, i cili e paraqet atë në një dritë jo të favorshme. Në fund, Broomfieldi arrin në përfundimin se Love nuk ishte e përfshirë. “Mendoj se [Kurti] bëri vetëvrasje”, ka thënë Broomfield. “Nuk mendoj se ka një provë përfundimtare”.
Por, kjo nuk i ka ndalur kërkuesit e “të vërtetës për Kurtin” që të thellohen edhe më shumë në teori. Pretendimet përfshijnë idenë se Cobaini e inskenoi vdekjen e tij dhe u rikthye si Rivers Cuomo, frontmeni i [grupit] Weezer-it, deri te pohimet e influencueses politike Candace Owens, e cila së fundmi tha se Love i kishte treguar se CIA ishte përfshirë në vdekjen e Cobainit.
Megjithatë, hipoteza më këmbëngulëse është se Love, nga frika se Cobaini po përgatitej ta shkurorëzonte, e vrau bashkëshortin për paratë e tij. Udhëheqësja e grupit Hole ishte demonizuar nga adhuruesit e Nirvana-s që në ditët e para të marrëdhënies së tyre të trazuar. Kur Hole publikoi albumin e tyre të rëndësishëm Live Through This, vetëm një javë pas vdekjes së Cobainit, dhimbja e saj u shfaq publikisht – madje, në një nga koncertet e grupit, dikush hodhi fishekë arme gjahu në skenë.
Forca shtytëse pas këtyre pretendimeve është Tom Grant, një hetues privat i cili, në mënyrë ironike, ishte punësuar fillimisht nga Love për të gjetur Cobainin pasi ai u arratis nga rehabilitimi në vitin 1994. Granti pretendoi se avokatja e Cobainit, Rosemary Carroll, i kishte thënë privatisht se ai po planifikonte të ndryshonte testamentin për të përjashtuar Lovein (Carroll nuk ka komentuar kurrë publikisht mbi akuzat). Në dokumentarin e vitit 2015, Zhytur në zbardhues [Soaked In Bleach] – i cilësuar nga NME si “sensacional dhe i cekët” – nënkuptohet fuqishëm se Cali DeWitt (i lindur si Michael DeWitt), dadoja e vajzës së tyre Frances Bean Cobain, kishte komplotuar me Lovein për të vrarë Kurtin.
Thërrimet e tjera buke e kanë ushqyer këtë histori, përfshirë një padi të ngritur në vitin 2018 nga këngëtari i grupit The Eeries, Isaiah Silva, i cili ishte i martuar me Frances Beanin nga viti 2014 deri në 2017. Ai pretendoi një komplot të çuditshëm sipas të cilit Love kishte tentuar ta vriste për të rimarrë kitarën Martin të vitit 1959 të Kurtit (atë që ai përdori në sesionin MTV Unplugged in New York të Nirvana-s, në vitin 1993). Silva gjithashtu pretendoi se nëna e Cobainit, Wendy O’Connor, besonte se “Love ishte e përfshirë në vetëvrasjen e supozuar të djalit të saj” – pavarësisht se ajo (si shumica e miqve dhe familjarëve të tij) e ka pranuar publikisht përfundimin se ai i dha fund jetës së vet.
Shtrirja e gjerë kulturore e këtij pretendimi të pabazë u mishërua në një moment të emisionit humoristik Never Mind the Buzzcocks në vitin 2009, kur Noel Fielding i tha me shaka prezantuesit Simon Amstell se shoqja e tij Love do ta “shtypte si një shkopth [Twiglet]”, ndërsa ai iu përgjigj me ironi therëse: “Ose do të më vriste dhe do ta bënte të dukej si vetëvrasje”. Në studio dëgjohen psherëtima habie, ndërsa në ekran shfaqet një paralajmërim: “Simon Amstell e ka patjetër gabim”.
Megjithatë, mund të argumentohet se për dikë që supozohet se donte ta shihte të vdekur, Love duket se bëri përpjekje titanike për ta mbajtur gjallë. Vetëvrasja e Cobainit erdhi pas disa ndërhyrjeve të raportuara për depresionin dhe abuzimin e tij me drogën, përfshirë një ndërhyrje, vetëm një javë para vdekjes, më 25 mars, kur Love e dëshpëruar ftoi 10 nga miqtë e tij në shtëpi, e kërcënoi se do ta linte dhe u kërkoi shokëve të grupit, Pat Smear dhe Krist Novoselic, të deklaronin se do ta shpërndanin Nirvana-n nëse ai refuzonte të hynte në rehabilitim. Më vonë, Love u pendua për atë pusi. “Ai budallallëku i viteve tetëdhjetë për mirëqenien e të dashurit me varësi – nuk funksionon”, u ankua ajo.
Në një intervistë të vitit 2019 për The Independent, ish-menaxheri i Nirvana-s, Danny Goldberg, i hodhi poshtë teoritë e vrasjes si “qesharake”. “Ai vrau veten”, tha Goldberg. “E pashë një javë më parë, ishte në depresion. U përpoq të vriste veten gjashtë javë më herët. Kishte folur dhe shkruar shpesh për vetëvrasjen, ishte nën efektin e drogës, mori një armë. Pse njerëzit spekulojnë për këtë? Tragjedia e humbjes është aq e madhe saqë njerëzit kërkojnë shpjegime të tjera”.
Wilkinsi mohon se motivohet nga nevoja për t’i dhënë kuptim të pakuptimtës. “Edhe nëse Kurti do t’ju kishte telefonuar një natë para se të vdiste dhe të kishte thënë: ‘Jam në depresion të thellë. Mendoj se do të vras veten’, shkenca tregon se ai nuk e bëri”, kundërshton ajo. “Pra, në fakt nuk ka rëndësi. Njerëzit kanë këtë imazh të Kurtit si një artist tragjik, romantik, shumë i bukur për këtë botë dhe i paaftë për ta përballuar. Kjo është një ide shumë shekspiriane për atë se kush ishte Kurti”, shton ajo (Wilkins nuk e takoi kurrë Cobainin).
Wilkins thotë se u ndje e shpërfillur nga departamenti i policisë së Sietlit kur ekipi i saj paraqiti gjetjet. Policia qëndron pas vlerësimit për vetëvrasje të bërë nga detektivi Mike Ciesynski, pasi ai e rishikoi çështjen për herë të fundit në vitin 2014.
Në internet, reagimet ndaj raportit nga adhuruesit e Nirvana-s dhe Hole-it kanë qenë të përziera. Shumë njerëz theksojnë se gjetjet e ngjashme mjekoligjore janë ngritur edhe më parë pa ndonjë përfundim, ndërsa ka të tjerë që nënvizojnë mizogjininë në teoritë e pandërprera “Courtney e vrau Kurtin”. “Është marrëzi. Kjo ndodh çdo disa vjet dhe nuk ofron asgjë”, komenton njëri. “Njësoj si ‘më në fund e zbuluam kush ishte Xhek rrjepësi [Jack the Ripper]’”!
Love ende nuk është përgjigjur ndaj raportit të tyre, por një “burim” i cituar në Daily Mail i ka hedhur poshtë teoritë e përsëritura të vrasjes si një “version të [filmit] Dita e Marmotës [Groundhog Day]” mbushur me dhimbje për të. Sa i përket ankthit që një hetim i tillë mund t’i shkaktojë Frances Beanit, e cila ishte vetëm 19-muajshe kur i ati vdiq, Wilkinsi thotë: “Ajo duhet ta dijë se i ati nuk e la me dëshirë. Duhet ta dijë se i ati e donte më shumë se çdo gjë në botë dhe se ai kurrë nuk do ta kishte bërë këtë, dhe kjo do t’i sjellë shumë paqe në planin afatgjatë”.
“Njerëzit duan të besojnë se Kurt Cobain ishte një figurë tragjike”, thotë Wilkins. “Dhe, ajo që ndodhi ishte një tragjedi – thjesht jo i njëjti lloj tragjedie që ata besojnë”.
Nga: Gary Ryan / The Telegraph (titulli: Who killed Kurt Cobain? The rock conspiracy that won’t die)
Përkthimi: Telegrafi.com






