Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha deklaroi se ka përfunduar konkursi për policë në veri. Ai nuk ka dhënë detaje se sa është numri i kandidatëve që kanë aplikuar për këtë konkurs, veçse tha se ky është numër i mjaftueshëm.
Kështu njoftoi ai pas përfundimit të komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, ku diskutimi për situatën në veri është bërë me dyer të mbyllura.
“Ka përfunduar (konkursi për policë) dhe kanë aplikuar numër i mjaftueshëm”, është përgjigjur shkurt ai para mediave.
Me fillim të raportimit para anëtarëve të komisionit, drejtori i Policisë ka kërkuar që diskutimi për veriun të mos jetë i hapur për media.
Paraprakisht ai deklaroi se tre muajt e fundit nuk është paguar rrezikshmëria në punë për policët, duke shtuar se presin që gjatë këtij muaji të ndodhë një gjë e tillë. Ai ka folur edhe për mungesën e uniformave, ku u shpreh se ka të bëjë me procedura të tenderimit.