Përgatiti: Driton Sadiku
7 muaj pasi hyri në fuqi ligji i ri, vështirësi po hasen në zbatimin e tij.
Një dispozitë e ligjit për trafikun rrugor, ka vënë në pikëpyetje nëse zyrtarët policorë kanë të drejtë ta zbatojnë atë.
Pika 6 e nenit 246, specifikon se nëse shoferi ndaj të cilit ka masë ndaluese për drejtim të automjetit, haset duke vozitur, i konfiskohet mjeti.
Por në adresë të inspektoratit policor gjatë këtyre 7 muajve, kanë shkuar mbi 700 ankesa, pasi veturat e konfiskuara, nuk kanë qenë në pronësi të shoferit, por të palëve të treta.
Kjo ka shtyrë inspektoratin policor që të bëjë një raport, dhe pas gjetjeve, ka kërkuar mendim nga instanca më e lartë, Gjykata Supreme, rreth ligjshmërisë së konfiskimit.
“IPK-ja i rekomandon Drejtorisë së Planifikimit që të kërkojë nga Gjykata Supreme e Kosovës, nxjerrjen e opinionit ligjor mbi zbatimin e dispozitave të nenit 246, paragrafi 6 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, në lidhshmëri edhe me Ligjin për Kundërvajtje, i cili do të shërbejë edhe si udhëzues mbi mënyrën e drejtë të zbatimit të legjislacionit në fuqi, sa i përket konfiskimit të përkohshëm të automjeteve”, thuhet në përgjigjen nga Inspektorati Policor.
Edhe juristi Visar Rrecaj, vlerëson se ka mangësi në Ligj.
“Natyrisht që ky është defekt ligjor, pra definitivisht kjo qeveri nuk di të hartojë ligje. Në këtë rast nuk e ka mbrojtë personin e tretë ligji, nuk e ka mbrojtë babën, nënën e ngasësit, apo pronarin komercial, sepse mund të jetë veturë komerciale e një firme, nuk e ka mbrojtë dhe është gabim i madh që të veprohet me konfiskim”, tha Rrecaj.
Andaj për aq kohë sa nuk ka ndërhyrje, Rrecaj thotë se duhet pezulluar një ndëshkim i tillë.
“Policia e Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji dhe kjo dispozitë duhet të pezullohet së ekzekutuari, sepse nuk është pengesë nëse kjo tani për tani nuk ekzekutohet”, shtoi Rrecaj.
Sidoqoftë, Inspektorati policor tashmë e ka rekomanduar drejtorin e policisë që këtë çështje ta adresojë në ministrinë përkatëse, për nxjerrjen e aktit nënligjor që rregullon çështjen e konfiskimit.