Gjatë pasditës së djeshme situata me qytetarët e helmuar ka filluar të shkojë drejt normalitetit, deklaron Komuna e Malishevës në një njoftim dërguar mediave.
Megjithatë, komuna njofton se monitorimi dhe kujdesi i shtuar do të vazhdojë nga ana e personelit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë dhe organeve tjera kompetente.
“Stabilizimin e situatës e ka konfirmuar edhe drejtori i QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi. Sipas tij, gjatë pasditës situata ka filluar të normalizohet”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Po ashtu sipas të dhënave nga ana QKMF-së në Malishevë, deri më tani, 215 persona kanë kërkuar ndihmë dhe shërbime shëndetësore, si pasojë e dyshimit të helmimit nga ushqimi.