Kryetari i Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj ka njoftuar hapjen e thirrjes për mbështetje financiare për bizneset lokale, në vlerë totale prej 140 mijë eurosh.
Përmes një postimi në Facebook, Rahimaj ka bërë të ditur se kjo thirrje përfshin si bizneset Start-Up ashtu edhe ato ekzistuese.
“Edhe kësaj radhe, kemi hapur thirrjen për mbështetjen e bizneseve Start-Up dhe bizneseve ekzistuese”, ka shkruar ai.
Sipas tij, fondi i dedikuar për këtë masë mbështetëse arrin në 140 mijë euro dhe synon zhvillimin e sektorit privat në komunë.
“Janë gjithsej 140,000 euro të planifikuara për t’u ndarë për bizeset tona”, ka deklaruar Rahimaj.
Ai ka sqaruar se bizneset e reja mund të përfitojnë deri në 3 mijë euro, ndërsa bizneset ekzistuese deri në 5 mijë euro mbështetje financiare.
“Deri në 3,000 euro mbështetje për bizneset e reja, deri në 5,000 euro mbështetje për bizneset ekzistuese”, ka theksuar ai.
Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se detajet e plota të thirrjes janë të publikuara në faqen zyrtare të komunës.






