Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Autizmit, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ritheksoi sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen fëmijët në spektrin e autizmit dhe prindërit e tyre, në realizimin e të drejtave të tyre themelore.
Përmes në komunikate për media, KOMF theksoi se fëmijët në spektrin e autizmit dhe familjet e tyre vazhdojnë të përballen me mungesë të shërbimeve cilësore dhe të qasshme në sektorët kyç, si shëndetësia, mbrojtja sociale dhe arsimi. Sfidat janë veçanërisht të theksuara në identifikimin dhe vlerësimin e hershëm, si dhe në sigurimin e ndërhyrjeve të hershme, të cilat janë vendimtare për zhvillimin e fëmijëve me autizëm.
“Shpenzimet financiare që familjet duhet të përballojnë për të siguruar shërbimet e domosdoshme dhe të specializuara për fëmijët në spektrin e autizmit janë shumë të larta, duke rënduar mirëqenien ekonomike dhe sociale të familjeve. Në shumicën e rasteve njëri nga prindërit, kryesisht nëna, detyrohet të lërë punën dhe të përkujdeset 24 orë për fëmijën me autizëm”.
“Pavarësisht kapaciteteve profesionale dhe ekspertizës së organizatave jo qeveritare që punojnë me fëmijët në spektrin e autizmit, mbështetja financiare institucionale nga komunat dhe Qeveria për këto organizata vazhdon të jetë e ulët dhe nuk mbulon nevojat për ofrimin e shërbimeve të qëndrueshme për të ofruar shërbime pa pagesë për fëmijët. Rrjedhimisht, në mungesë të një sistemi të qëndrueshëm publik, organizatat joqeveritare vazhdojnë të mbajnë barrën kryesore të ofrimit të shërbimeve”, thuhet në komunikatë.
Përfshirja kuptimplotë e fëmijëve në spektrin e autizmit në sistemin arsimor vazhdon të jetë sfiduese, thotë KOMF, derisa sipas tyre, shkaktar janë mungesa e informimit, mbështetja adekuate, burimet, stafi i specializuar dhe monitorimi profesional.
Prindërit, përveç sfidave të përditshme, përballen edhe me rëndim të gjendjes së tyre ekonomike, pasi shpesh detyrohen të paguajnë vetë për sigurimin e asistentëve për fëmijët e tyre.
Kjo situatë, thotë KOMF, është edhe më e theksuar në nivelin parashkollor, ku mungesa e asistentëve në kopshte cenon drejtpërdrejt bazat e ndërhyrjes së hershme.
“Prindërit e fëmijëve me autizëm përballen me nivele të larta stresi, për shkak të sfidave të përditshme në kujdes, edukim dhe sigurimin e shërbimeve të nevojshme për fëmijët e tyre. Ky stres lidhet edhe me barrën financiare dhe mungesën e mbështetjes institucionale”.
Iniciativa për hartimin e një ligji, i cili ka për qëllim të trajtojë dhe të ofrojë mbështetje të barabartë për të gjithë personat me aftësi të kufizuara, bazuar në nevojat e tyre, përfshirë edhe fëmijët në spektrin e autizmit, e nisur në vitin 2016, shënoi një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të legjislacionit në Kosovë.
Projektligji për të Drejtat, Vlerësimin, Trajtimin dhe Njohjen e Statusit, Shërbimet dhe Përfitimet për Personat me Aftësi të Kufizuara, sipas KOMF, synon të vendosë një qasje moderne bio-psiko-sociale.
“Megjithatë, pavarësisht avokimit të vazhdueshëm të shoqërisë civile, projektligji është zvarritur prej dhjetë vitesh dhe ende nuk është miratuar. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta miratojë urgjentisht këtë projektligj, në përputhje me nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara”.
KOMF thekson se çdo fëmijë në spektrin e autizmit ka të drejtë të barabartë për zhvillim, edukim dhe mirëqenie, dhe për të garantuar këtë, kërkon nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm për:
-Përmirësimin e mekanizmave për identifikim dhe ndërhyrje të hershme
-Sigurimin e shërbimeve të hershme dhe ndërhyrjeve të specializuara
-Rritjen e financimit për organizatat që ofrojnë shërbime për fëmijët me autizëm
-Rritjen e përfshirjes në arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës përmes shtimit të numrit të asistentëve, stafit profesional dhe ngritjes se kapaciteteve profesionale të mësimdhënësve për të punuar me fëmijët me autizëm
-Ofrimin e mbështetjes për prindërit dhe familjet
KOMF rekomandon që përpos mbështetjes së prindërve dhe familjeve, duhet të investohet edhe në edukimin dhe vetëdijesimin e tyre dhe shoqërisë në përgjithësi, për autizmin.
Po ashtu duhet të themelohen dhe zgjerohen aktivitetet e kulturës dhe sportit, duke kontribuar kështu në promovimin dhe integrimin e tyre aktiv në shoqëri.
“KOMF bën thirrje për veprim konkret nga të gjitha palët, institucionet, profesionistët dhe shoqëria në tërësi, për të garantuar që fëmijët në spektrin e autizmit të kenë mundësi të barabarta për të realizuar potencialin e tyre”.






