Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka deklaruar se në Zveçan kishte njerëz që sipas tij, kanë pasur qëllim për ta nxitur turmën e banorëve serbë, të cilit që nga 26 maji janë mbledhur para objektit të komunës.
Serbët lokalë që kanë sulmuar personelin e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët, po i kundërshtojnë kryetarët e komunave veriore. ShBA-të kanë qortuar Qeverinë Kurti për veprimet e saja karshi këtyre zhvillimeve, teksa kanë përjashtuar Kosovën nga ushtrimi ushtarak “Defender Europe 2023”.
E sipas Risctuccias, po mos të ishte KFOR-i i pranishëm në komunat po ndodhin tensionet, gjërat do të kishin shkuar shumë më keq, transmeton Paparaci.
“Nëse nuk do të kishim ndërhyrë, tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”, tha ai për gazetën italiane “La Repubblica”.
Prandaj siç thotë ai, situata në veri do të mund të përshkallëzonte më tej pa praninë e KFOR-it.
Së fundmi, NATO ka vënë në gatishmëri të lartë edhe një batalion rezervë për dislokim në Kosovë “në rast se ka nevojë”, shkaku i tensioneve në veri të vendit. Kjo është bërë e ditur gjatë vizitës së komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralit Stuart Munsch, në KFOR.
Ky lajm vjen vetëm një ditë pasi NATO vendosi të dislokojë forca shtesë, pasi 30 ushtarë të misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.
“Diskutimet e tyre [Admiralit Munsch dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia] përfshinin dislokimin e 700 trupave shtesë nga batalioni rezervë i thirrur në Kosovë nga NATO për të normalizuar situatën dhe për të garantuar sigurinë, si dhe dislokimin e mundshëm të një batalioni tjetër rezervë që është vendosur në gatishmëri të lartë, në rast se nevojiten trupa shtesë”, thuhet në postimin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në Twitter.