Pesë zhytës italianë humbën jetën në një aksident tragjik në ujërat e Maldiveve, gjatë një ekspedite në shpellën nënujore Devana Kandu, e njohur nga vendasit si “shpella e peshkaqenëve”.
Ngjarja e rëndë ka tronditur komunitetin ndërkombëtar të zhytjes, ndërsa detajet e operacionit të kërkimit dhe rrethanat e aksidentit po zbardhen gradualisht.
Sipas informacioneve të para, operacioni i kërkimit ka arritur të gjejë fillimisht trupin e instruktorit 44-vjeçar Gianluca Benedetti, i cili u lokalizua pranë hyrjes së shpellës. Ndërkohë, trupat e katër zhytësve të tjerë, Monica Montefalcone, 51 vjeçe, vajza e saj Giorgia, 22 vjeçe, biologu Federico Galtieri, 31 vjeç, dhe studiuesja Muriel Odentino, 31 vjeç – u gjetën më thellë në sistemin e shpellës, në një nga dhomat e brendshme.
Shpella Devana Kandu përbëhet nga tre dhoma të lidhura me korridore të ngushta nënujore, ku jetojnë specie të ndryshme detare si peshkaqenë, rreze dhe karavidhe. Hyrja e saj ndodhet rreth 50 metra nën sipërfaqe, një thellësi që tejkalon ndjeshëm kufirin prej 30 metrash të lejuar për zhytje rekreative në Maldive.
Ekspertë dhe ish-zhytës ushtarakë e kanë cilësuar shpellën si jashtëzakonisht të rrezikshme dhe të pamëshirshme. Ish-zhytësi i forcave të armatosura të Maldiveve, Safraz Naeem, deklaroi se hapësira e ngushtë dhe mungesa e dritës e bëjnë pothuajse të pamundur daljen në rast emergjence.
“Shpella është e mbyllur, e errët dhe nuk fal gabime. Nëse diçka shkon keq, nuk ka rrugë të lehtë për t’u kthyer,” u shpreh ai, duke shtuar se edhe zhytës me përvojë e shmangin dhomën e tretë për shkak të rrezikut të lartë.
Ai gjithashtu ngriti dyshime mbi dinamikën e aksidentit, duke sugjeruar se instruktorit mund t’i jetë dashur të ndahej nga grupi në përpjekje për të gjetur dalje ose për të mbetur vetë pa oksigjen, ndërsa pjesa tjetër e grupit mund të ketë mbetur e bllokuar në thellësi.
Nga ana tjetër, agjencia turistike që organizoi zhytjen ka deklaruar se nuk ishte në dijeni që grupi do të zbriste në thellësi kaq të mëdha, duke theksuar se ata kishin përvojë në zhytje rekreative, por jo pajisje për zhytje teknike në det të thellë.
Autoritetet lokale vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të tragjedisë, ndërsa komuniteti i zhytjes ka shprehur shqetësim të madh për respektimin e kufijve të sigurisë në ekspedita të tilla të rrezikshme.





