Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit.
Në seancën e së enjtes për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi e ka ndalur procesin e zgjedhjes, si pasojë e mungesës së kuorumit të nevojshëm.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka ndërprerë seancën dhe ka njoftuar se kjo seancë do të vazhdojë në të ardhmen po qe se plotësohen kushtet.
“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë u bëra apel deputetëve të cilët mungojnë që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht s’i kemi 2/3 e deputetëve”, ka thënë ajo.
Pas kësaj, Haxhiu ka njoftuar se menjëherë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.
“Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. Lidhur me këtë e kam njoftuar edhe presidenten Vjosa Osmani-Sadriu”, ka njoftuar Haxhiu në Facebook.






