Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se nuk ka identifikuar asnjë dron nga Serbia të ketë kaluar në hapësirën ajrore të Kosovës.
“Ne nuk kemi identifikuar shkelje përmes dronëve që mund ta cenojnë sigurinë në Kosovë. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, prandaj KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe kapaciteteve që ka në dispozicion,” tha KFOR-i.
Por, këtë temë e përmendën paraprakisht edhe drejtori i policisë, edhe ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme.
Gazmend Hoxha madje u deklarua vetëm disa orë, para njoftimit të KFOR-it.
“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet,”tha Hoxha.
Sipas Hoxhës, kjo situatë është e rrezikshme për zonën kufitare.
“Është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR. Ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë, KFOR është përgjegjësi e tyre, janë duke punuar për këtë drejtim,” deklaroi Hoxha.
Ndërkaq dy ditë më parë, edhe ministri në dorëheqje, Xhelel Sveçla, deklaroi se kohëve të fundit ka lëvizje të paautorizuar përmes dronëve nga Serbia.
Në Kosovë, KFOR-i është përgjegjës për hapësirën e lartë ajrore.
Për më shumë detaje, klikoni videon më poshtë!







