Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, sot do të mbahen seancat konstituive në të cilat kryetarët e rinj nga Lista Serbe do të marrin përsëri pushtetin.
Në Zveçan, në sallën ku do të bëhet betimi janë vendosur flamuri i Kosovës si dhe fotografia e Presidentes Vjosa Osmani, shkruan Reporteri.net.
Pamjet ku shihen simbolet shtetërore janë publikuar nga “Interaktiv Talks”.
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kishte konfirmuar se ceremonitë inauguruese pritet të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet e përcaktuara me ligj, duke përfshirë përdorimin korrekt të elementeve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Ai kishte thënë se në rast të mosrespektimit të procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jolegjitime seancat përkatëse
“Në çdo rast kur konstatohet mosrespektim i këtyre procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jolegjitime seancat përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.







