Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dënoi incidentin e së hënës mbrëma, ku një serb i Kosovës u plagos me armë zjarri në komunën e Zveçanit.
KFOR-i potencoi përmes një komunikate se pret që institucionet në Kosovë të kryejnë një hetim të plotë të ngjarjeve dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit.
KFOR-i bëri të ditur se progresi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është kyç për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.
“KFOR-i mirëpret marrëveshjet e fundit të ndërmjetësuara nga BE-ja të arritura në këtë drejtim dhe inkurajon të dyja palët të zbatojnë detyrimet e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të qetë e të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.”, u bë e ditur në komunikatë.