Këta janë socialistët e zemëruar me Ramën që sot mbështesin protestën qytetare

Protesta, që sot hyn në javën e katërt të saj, ka padyshim një përbërje të shumëllojshme nga shtresa dhe përkatësi të ndryshme fetare, sociale dhe politike. Por mes tyre spikatin dhe socialistët. Që nga ata që kanë qenë në poste më të larta drejtuese dhe deri tek aspirantët për deputetë në siglën e trëndafilit.

Më e shquara padyshim është Marjana Koçeku. Neomalësorja që një vit më parë kryesonte listën e deputetëve të qarkut të Shkodrës ishte e para që “tradhtoi” Ramën duke postuar si fillim një flamingo ikonë në FB e deri mbrëmë kur u shfaq në mes të protestuesve si mbështetëse tashmë pa asnjë rezervë e atyre që thërrasin “Rama në burg, Berisha në burg”. Jo rastësisht, pas daljes së saj në krah të protestës, nuk kanë munguar përpjekjet për ta anatemuaar si një protagoniste të re që kërkon të rritet politikisht përballë Edi Ramës.

Më herët kritika për Ramën dhe mbështetës të protestës kanë qenë dhe ish-ministrat Arta Dade dhe Ditmir Bushati. Ky i fundit publikoi dhe një ese të gjatë dhe të plotë për mënyrën si duhet reformuar Partia Socialiste. Të dy ish-drejtuesit e lartë të PS munguan dhe në festën e 35-vjetorit të PS.

Artan Shkreli është një tjetër socialist që këtë herë është shfaqur si ambientalist në mbrojtje të natyrës. Ish-bashkëpunëtori i afërt i Ramës, që nga koha kur ky i fundit bojatiste pallatet e Tiranës dhe deri para një viti drejtor i Institutit të Ndërtimit, zoti Shkreli ka dalë hapur kundër projektit të Zvërnecit, duke përfshirë në Revolucionin e Flamingove të bijën, Ana Shkrelin, si pjesëmarrëse aktive, dhe dhëndrin Belind Këlliçi më shumë si ekskursionist dhe postues të fotove të protestës.

Por ai që ka qenë më aktiv në protestë është Paulin Luli. Ish-kandidat i PS për deputet në 2017 dhe ish-drejtor i Rezervave të Shtetit, këtë herë në protestë ka folur si emigrant nga Gjermania që kërkon ndryshimin e sistemit. Për Paulin Lulin disa nga deputetët e PS kanë postuar dhe video, ndërsa e kritikojnë për ndryshimin e qëndrimit.

Në shesh sigurisht ka shumë të tjerë, anëtarë apo mbështetës të PS, që janë aty për të kundërshtuar mënyrën e qeverisjes së Edi Ramës. Jo më kot Edi Rama dje në mbledhjen e zgjatur me dyer të mbyllura të PS ka shprehur shqetësim për këtë kategori socialistësh që janë të pakënaqur me qeverinë dhe që këto ditë kanë zbritur në shesh, duke shënuar dhe një nga gjërat e rralla që ndodh me socialistët.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA