Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit solli për publikun kryeqytetas një nga ciklet më poetike dhe më të ndjera të kompozitorit të madh Franz Schubert: “Kënga e mjellmës” (Schwanengesang). Pas suksesit me ciklin “Rrugë dimërore” dhe premierën absolute “Mullixhesha e bukur”, TKOB vazhdon t’i sjellë publikut kryevepra të liedeve gjermane.
Në këtë mbrëmje të veçantë u përfshi edhe “Serenata” e njohur e Schubert-it, një nga pjesët më të dashura të repertorit romantik, e cila u interpretua për herë të parë në Shqipëri nga baritoni Artur Vera dhe pianistja Etrita Ibrahimi. Performanca e tyre solli një emocion të fortë, duke e çuar publikun në një udhëtim të thellë poetik dhe muzikor.
“Schwanengesang” konsiderohet si një nga ciklet më prekëse të Schubert-it, një mozaik i fuqishëm këngësh që përfaqësojnë kulmin e krijimtarisë së tij. Janë tingujt e fundit që kompozitori shkroi përpara se të ndahej nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të pavdekshme muzikore.
Ky cikël përçon bukurinë dhe thellësinë e liedeve romantike – këngë për zë solo dhe piano që ndërthurin poezinë me muzikën në mënyrë të pandashme. Pianoja dhe vokali bashkohen për të krijuar një komunikim emocional që prek tema si natyra, dashuria dhe legjenda, në traditën e kompozitorëve të mëdhenj si Schubert, Schumann dhe Brahms.
Mbrëmja në TKOB ishte një tjetër dëshmi se muzika e Schubert-it mbetet po aq e freskët, e fuqishme dhe prekëse edhe sot.







