Drejtori i rrjetit të OJQ-ve AVONET, Kenan Gashi, ka njoftuar për ndarjen nga jeta të mësimdhënëses Suzana Arifi.
“Në këtë mëngjes morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të mësueses Suzana Arifi”, ka shkruar ai.
Gashi ka kujtuar se mësuesja Suzana ishte mësuesja e Ajanit, i cili e kishte konsideruar gjithmonë si një anëtare të familjes, duke e përmendur edhe sot me shumë dashuri dhe respekt.
Ai e ka përshkruar të ndjerën si një mësuese të jashtëzakonshme, të përkushtuar, të dashur dhe shumë profesionale, e cila me energjinë dhe përkushtimin e saj kishte arritur ta shndërronte klasën në një vend të ngrohtë e frymëzues për nxënësit.
Sipas tij, edukata, qetësia dhe profesionalizmi i saj nuk ishin vetëm pjesë e disiplinës në klasë, por vlera që ajo ua kishte transmetuar nxënësve, duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin e tyre si individë.
“Ajo ishte një model i vërtetë për fëmijët tanë dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tyre”, ka theksuar Gashi, duke shtuar se kontributi i saj në edukimin e brezave do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe mirënjohje.
Në fund, ai ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për kontributin e saj, si dhe ka ngushëlluar familjen, kolegët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin.
“Allahu e pastë mëshiruar dhe familjes i dhëntë durim”, ka përfunduar ai. 🤲






