Kosova ndodhet në pritje të përmbylljes së procesit paszgjedhor, hap ky i domosdoshëm për konstituimin e Kuvendit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që presin prej më shumë se një viti. Për shkak të ngërçit të gjatë politik dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Plani i Rritjes ka mbetur pa u votuar, duke mbajtur pezull shumën prej 882 milionë eurosh. Aktualisht, sytë janë nga Gjykata Supreme, e cila po shqyrton gjashtë ankesa lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit; menjëherë pas vendimit të saj, pritet t’i hapet rrugë certifikimit të rezultateve që e çon Kosovën drejt formimit të institucioneve të reja.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Komisioni Europian konfirmoi se, edhe pse Kosova është vonuar në ratifikim, ajo ende mbetet e kualifikuar për t’i përfituar fondet. “Kosova mbetet e kualifikuar për të përfituar deri në 882 milionë euro financime në kuadër të Planit të Rritjes, subjekt i hyrjes në fuqi të marrëveshjeve që lidhen me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes, si dhe i përmbushjes së të gjitha kushteve të tjera për pagesë”- tha një zëdhënës i Komisionit.
Komisioni Europian theksoi se për shkak të vonesës në formimin e institucioneve, marrëveshjet përkatëse nuk janë ende në fuqi. “Pa ratifikimin e këtyre marrëveshjeve, Kosova nuk mund të paraqesë kërkesë për pagesë në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes”- shkruan në përgjigje.
Poashtu, edhe njëherë potencuan se Kosova ishte ndër partnerët e parë të Ballkanit Perëndimor që miratoi Agjendën e saj të Reformave, siç kërkohet nga Plani i Rritjes i BE-së, e cila u miratua nga Komisioni Evropian në tetor të vitit 2024.Ky institucion europian rikujtoi se Instrumenti i Reformës dhe Rritjes është një instrument me afat të kufizuar kohor, i miratuar për periudhën 2024-2027, dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron Plani i Rritjes, për të mirën e popullatës së saj.
Në kushte normale, deri tash Kosova do duhej t’i përfitonte 61 milionë eurot e para. Përndryshe, Kosova deri në vitin 2027 është paraparë që nga kjo paketë mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, prej të cilave mbi 250 milionë si grant pa kthim, ndërsa pjesën tjetër në formë kredie me kushte të favorshme. Plani i Rritjes nxit përgatitjet e partnerëve të zgjerimit për anëtarësim në BE, duke sjellë përpara disa nga përfitimet e tij përpara integrimit të plotë në BE. Kjo nga ana tjetër duhet të përshpejtojë ndjeshëm shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre. Kjo paketë, vlen për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.






