Lidhur me këto zgjedhje Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka konfirmuar se aktualisht janë katër ankesa në shqyrtim.
Në një përgjigje për Telegrafin, PZAP-ja ka bërë të ditur se këto ankesa janë duke u trajtuar në përputhje me kompetencat ligjore të institucionit, ndërsa vendimet për to do të merren brenda afateve të përcaktuara me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme (LZP) dhe rregulloren e PZAP-së.
Ndryshe, të premten vonë PZAP-ja e hodhi poshtë si të pa afatshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për shfuqizimin e rreth 20.000 votave të dërguara në vend përmes postës nga mërgata.
PDK-ja kishte kërkuar nga PZAP-ja të enjten t’i shpallë të pavlefshme votat në fjalë, duke thënë se ato ishin dërguar me postë nga jashtë vendit me vonesë, pas afatit të lejuar ligjor.
Sipas rezultateve preliminare, këto zgjedhje i fitoi Lëvizja Vetëvendosje me 51.11 për qind të votave që i japin 57 ulëse në kuvend.
Partia e dytë doli Partia Demokratike e Kosovës me 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse në kuvend.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.23 për qind të votave, që i sigurojnë asaj 15 ulëse në organin ligjvënës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 5.50 për qind të votave dhe kjo parti do të ketë gjashtë deputetë.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën pjesë 45 për qind e trupit votues.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ishin rezultat i mospajtimeve dhe përplasjeve ndërmjet partive politike, të cilat pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arritën ta konstituonin kuvendin deri më 10 tetor.






