Samiti i Ndikimit të Inteligjencës Artificiale në Indi, i konsideruar si një ngjarje historike që bashkon liderë botërorë dhe drejtues të industrisë së teknologjisë, u përball me probleme serioze logjistike që në ditën e parë të zhvillimit në Delhi.
Pjesëmarrës të shumtë raportuan radhë të gjata, mbingarkesë në hyrje dhe mungesë organizimi, duke theksuar se pritën për orë të tëra për të hyrë në ambientet e aktivitetit.
Disa ekspozues pretenduan se kishin vështirësi për të hyrë në stendat e tyre për shkak të masave të shtuara të sigurisë dhe mbylljeve të papritura të portave. Të tjerë u ankuan për mungesë ushqimi dhe uji, ndërsa pati edhe pretendime për vjedhje pajisjesh nga hapësirat e ekspozimit.
Ngjarja pesëditore u inaugurua nga kryeministri indian Narendra Modi dhe po mbahet në qendrën e ekspozitave Bharat Mandapam. Samiti po promovohet si takimi i parë i madh ndërkombëtar i IA-së i organizuar në Jugun Global.
Mbi 100 shtete po marrin pjesë në këtë aktivitet, ku pritet të jenë të pranishëm edhe figura të njohura të teknologjisë si Sam Altman nga OpenAI dhe Sundar Pichai nga Alphabet Inc..
Gjatë ceremonisë hapëse, Modi deklaroi se samiti dëshmon potencialin e jashtëzakonshëm të Indisë në fushën e inteligjencës artificiale, duke shtuar se vendi synon të krijojë zgjidhje që i shërbejnë jo vetëm Indisë, por mbarë botës.
Ndërkohë, Ministri indian i Teknologjisë së Informacionit, Ashwini Vaishnaw, kërkoi falje ndaj ekspozuesve për shqetësimet dhe problemet e hasura gjatë ditës së parë të organizimit.






