Albert Shabani, dikur mbështetës i madh i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, ka filluar t’i kundërvihet këtij subjekti politik pas pakënaqësive me të.
Shabani me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka sfiduar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovcin, që të tregojë për shtëpinë luksoze, për të cilën Shabani pretendon se deputeti e ka në Mal të Zi.
“Mefail, a ju ke tregu votuesve, si arrite me ndertu shtepi luksoze në Mal të Zi, apo, nësë do, unë shkoj një dite te shtepia jote atje, dhe e beje një video direkt nga shtepia! Ti e di mirë kush ti ka vendos dyert e dritaret, edhe une kam qenë aty puntor! Shihemi këto ditë”, ka shkruar ish-përkrahësi i LVV’së.
Reagimi i Shabanit vjen pas reagimit të Bajqinovcit ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani, e cila mori meritat për heqjen e plotë të masave të BE’së ndaj Kosovës.
Bajqinovci pretendoi se Osmani s’kishte kurrfarë merite për këtë, vetëm se ishte në një linjë me ish-emisarin e posaçëm të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Madje, sipas tij, Osmani sikurse Lajçaku kërkonte që Kosova të tërhiqej nga veriu i vendit.







