Java e parë e luftës kundër Iranit i kushtoi Shteteve të Bashkuara më shumë se 11.3 miliardë dollarë, u tha ligjvënësve në një konferencë për shtyp të Pentagonit, sipas një raporti të New York Times.
Gazeta, duke cituar burime të paidentifikuara, të njohura me konferencën informative me dyer të mbyllura të së martës, thotë se anëtarëve të Kongresit iu tha se shifra përjashton shumë kosto të lidhura me përgatitjet për sulmet, duke sugjeruar se numri përfundimtar për javën e parë mund të rritet ndjeshëm.
Zyrtarët e mbrojtjes i kishin thënë më parë Kongresit se municione me vlerë afërsisht 5.6 miliardë dollarë u shpenzuan vetëm në dy ditët e para të luftimeve, sipas mediave amerikane – një shkallë djegieje shumë më e lartë se vlerësimet e mëparshme publike.
Grupi i pavarur i ekspertëve në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington vlerësoi se 100 orët e para të Operacionit Epic Fury kushtuan 3.7 miliardë dollarë – ose më shumë se 891 milionë dollarë në ditë.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka pretenduar se Shtetet e Bashkuara e kanë “fituar” luftën kundër Iranit, por që forcat ushtarake amerikane do t’i vazhdojnë sulmet derisa të përfundojë e gjithë puna.
Ndërkohë, Teherani vazhdon të godasë anije në rajon dhe zotohet për sulme tjera.
Izraeli e ka bërë të qartë se nuk është gati t’i japë fund fushatës ushtarake, përfshirë sulmet në Liban kundër forcave të Hezbollahut – aleatë të Iranit – duke thënë se “një mori shënjestrash” vazhdojnë të ekzistojnë.






