Ish-zëvendëskëshilltari për sigurinë kombëtare i SHBA-së gjatë presidencës së Barack Obama, Ben Rhodes, ka kritikuar ashpër qasjen e Donald Trump ndaj luftës me Iranin, duke paralajmëruar për rreziqe serioze në vendimmarrje.
Në një intervistë për BBC, Rhodes deklaroi se mënyra si po vepron Trump “ngjan gjithnjë e më shumë me një njeri që merr vendime i vetëm në një dhomë”, pa u mbështetur te këshilltarët politikë dhe ushtarakë apo te procedurat standarde.
Ai shkoi më tej duke akuzuar presidentin amerikan se po kërcënon me veprime që mund të përbëjnë krime lufte, pas paralajmërimeve të fundit për goditje ndaj infrastrukturës civile të Iranit.
“Do të shohim nëse ushtria amerikane është e gatshme t’i thotë ‘jo’ Trump-it”, u shpreh Rhodes.
Sipas tij, presidenti amerikan duhet të pranojë se ky konflikt mund të marrë fund vetëm përmes negociatave.
Rhodes theksoi gjithashtu se, megjithëse Irani është dobësuar nga sulmet e fundit, në një farë mënyre ai ka fituar avantazh strategjik, duke demonstruar përmes kontrollit të Ngushticës së Hormuzit, ndikimin e madh që mund të ushtrojë mbi ekonominë globale.






