Garda Revolucionare e Iranit, konfirmoi zyrtarisht vrasjen e Alireza Tangsiri komandantit të marinës së pasdaranëve, 4 ditë pasi Izraeli kishte njoftuar shenjestrimin e tij.
Në një deklaratë të publikuar nga media e lidhur me Gardën Revolucionare, Tasnim thuhet se Tangsiri po organizonte forcat dhe fuqizimin e mburojës mbrojtëse në ishuj dhe bregdet, dhe se kishte vdekur për shkak të plagëve të rënda.
Në deklaratë shtohet më tej, se pavarësisht mungesës së Tangsirit, forcat e Marinës së Gardës Revolucionare i kishin dhënë goditje shkatërruese kundërshtarëve dhe se kishin vijuar të ruanin kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit.
Garda u zotua se nuk do të ndalej deri sa armiku të shkatërrohej plotësisht. Tangsiri, një prej komandantëve më të lartë të forcave Pasdaran, ishte i përfshirë në mbikqyrjen e anijeve përmes ngushticës strategjike të Hormuzit.
Në llogarinë e tij në rrjetin social X, ai thoshte se asnjë mjet lundrues i lidhur me agresorët e Iranit, nuk kishte të drejtën të kalonte.
Një komandant i zëshëm kishte bërë disa deklarata kundër SHBA-ve dhe Izraelit në të kaluarën. Tangsiri ishte i sanksionuar nga thesari amerikan, bashkë më komandantë të tjerë të Gardës Revolucionare në 2019, pasi Teherani rrëzoi një dron të survejimit të SHBA-ve pranë ngushticës.






