Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të zbatojnë legjislacionin në fuqi për ndëshkimin maksimal të dhunuesve. Sipas saj, deri më tani nuk ka asnjë dënim deri në maksimum, siç e parasheh Kodi Penal.
Kështu u shpreh ajo në aktivitetin “Thyerja e heshtjes: Fuqizimi i Zërave nga Italia dhe Kosova kundër dhunës ndaj grave”, të organizuar nga Ambasada e Italisë dhe Fondacioni Jahjaga.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu tha se shifrat e dhunës në familje kudo në botë janë alarmante.
“Dhuna ndaj grave shpesh mbulohet nga heshtja, duke detyruar viktimat të mbajnë barrën e traumës. Prandaj është thelbësorë duke thyer këtë heshtje duke ju dhënë zë atyre që nuk e kanë. Në Itali po shohim një lëvizje, gratë po bashkohen. Në Kosovë gratë po bëjnë të njëjtën gjë duke luftuar për të drejtat e tyre dhe për një të ardhme më të mirë”, tha ai.
Roli i institucioneve, sipas diplomatit italian është thelbësor që viktimat të marrin ndihmën e nevojshme.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se është me rëndësi që viktimat e dhunës në familje të kenë besim në institucionet.
“Është tejet e rëndësishme që të ketë zbatim të legjislacionit në fuqi. Por është detyrë e institucioneve të drejtësisë që të zbatohen në përpikëri detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Deti më tani nuk kemi asnjë dënim deri në maksimum siç e parasheh Kodi Penal”, deklaroi ajo.
Në ditën e parë të fushatës globale “16 ditë aktivizim kundër dhunës me bazë gjinore”, ish-presidentja, Atifete Jahjaga përmendi emrat e grave të vrara nga bashkëshortët e saj.
Ajo theksoi se institucionet dështuan t’iu ofrojë mbrojtje këtyre grave.
“Ky problem po prek çdo shoqëri, pasi që dhuna nuk njeh kufi. Kosova si një vend i ri ka bërë përpjekje të mëdha për të krijuar një kuadër ligjor, por sfidat qëndrojnë në zbatimin e tij efektiv. Kosova zhvillimin e ka të shpejt dhe të dukshëm”, u shpreh ajo.
Jahjaga tha se është e dhimbshme se si çdo ditë gratë sulmohen nga sistemi patriarkal brenda familjeve.