Inspektorati Qendror i Punës ka zhvilluar një aksion të jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në zbatim të vendimit të Ministrit të MPFVLÇ-së dhe në përputhje me mandatin ligjor të institucionit.
Sipas raportit përmbledhës të publikuar nga Inspektorati Qendror i Punës, deri më 30 prill 2026 janë realizuar gjithsej 300 inspektime dhe 143 riinspektime në terren.
Nga këto kontrolle janë shqiptuar 126 masa për ndalim të punimeve, ndërsa për 38 raste është lejuar vazhdimi i punimeve pas përmbushjes së kushteve të kërkuara.
Raporti tregon gjithashtu se janë dhënë 121 vërejtje, ndërsa 86 subjekte kanë rezultuar pa vërejtje gjatë inspektimeve. Po ashtu, 70 raste kanë eliminuar parregullsitë e evidentuara nga inspektorët.
Inspektorati ka bërë të ditur se çdo vendim për “ndalim të punimeve” nënkupton automatikisht edhe inicimin e kërkesave për kundërvajtje ndaj subjekteve përkatëse. Në përfundim të aksionit, të gjitha subjektet ndaj të cilave është shqiptuar kjo masë do të procedohen në gjykatë për shkeljet e konstatuara.
Në raport përfshihen edhe 4 raste të proceduara në polici, që lidhen me vazhdimin e punimeve në kundërshtim me vendimet e inspektorëve për ndalim të punimeve, si dhe me dëmtimin e shiritit ndalues në kantierë.
Sipas Inspektoratit, procesi i riinspektimeve dhe monitorimit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për subjektet që kanë marrë masa ndaluese ose vërejtje për evitimin e parregullsive në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.





