Sipas ASK-së, inflacioni vjetor ishte 5.3%, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike, ushqimit dhe shërbimeve, ndërsa karburantet
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin dhjetor 2025, duke treguar një rritje vjetore të inflacionit prej 5,3 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2024. Sipas ASK-së, inflacioni mujor në dhjetor 2025 ka qenë 0,7 për qind, ndërsa norma mesatare vjetore e inflacionit për gjithë vitin 2025 ka arritur 3,9 për qind.
ASK thekson se gjatë vitit 2025 rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i disa kategorive bazë të konsumit, përfshirë kafenë, çajin dhe kakaon (15,2%), energjinë elektrike (11,4%), mishin (11,0%), pemët (11,5%), si dhe shërbimet hoteliere dhe pushimet e organizuara. Rritje të ndjeshme janë vërejtur edhe te produktet ushqimore si qumështi, djathi dhe vezët, si dhe te shërbimet ambulantore dhe mirëmbajtja e mjeteve të transportit.
Në krahasim vjetor, dhjetori 2025 ka shënuar rritje të forta të çmimeve sidomos te pemët (19,0%), energji elektrike (18,3%), shërbimet e lidhura me transportin personal (18,1%), mishi (14,4%) dhe lëndët djegëse të ngurta si druri dhe peleti (13,1%). Sipas ASK-së, këto kategori kanë pasur ndikimin kryesor në rritjen e përgjithshme të IHÇK-së.
Ndërkohë, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal kanë shënuar rënie çmimesh, si në bazë vjetore ashtu edhe mujore, duke zbutur pjesërisht presionin inflacionist. Vetëm në dhjetor, çmimet e karburanteve kanë rënë me 1,3 për qind krahasuar me muajin nëntor.
ASK sqaron se rritja mujore prej 0,7 për qind në dhjetor është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, biletave të fluturimeve, perimeve, lëndëve djegëse për ngrohje dhe disa produkteve ushqimore bazë.
Të dhënat e publikuara tregojnë se inflacioni mbetet i pranishëm në ekonomi, me ndikim të veçantë në shpenzimet bazë të familjeve, veçanërisht në ushqim dhe energji.






