Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) sot ka inauguruar nënstacionin në Ferizaj dhe ky projekt që kap vlerën afro tetë milionë euro ka për qëllim që të zgjidh problemet e furnizimit me energji elektrike për banorët dhe bizneset e kësaj zone.
E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka theksuar se ky investim gjithashtu ndikon edhe reduktimin e humbjeve teknike prej 5 mijë megavat orë energji elektrike në rrjet.
“Me energjezimin e këtij nënstacioni sot po zgjidhen problemet e furnizimit me energji për banorët dhe bizneset e kësaj zone, dhe po mundësohet lehtësimi i ngarkesës për vendbanimet që furnizohen nga linjat e ndërlidhura në komunën e Kaçanikut, Shtërpcës, përfshirë qendrën e skijimit të Brezovices dhe do të ketë ndikim pozitiv edhe tek një pjesë e konsumatorëve në Komunën e Shtimes. Ky investim gjithashtu ndikon edhe reduktimin e humbjeve teknike prej 5 mijë megavat orë në rrjet. Ky investim e rrit stabilitetin me furnizim me energji elektrike dhe eliminon ndërprerjet që kanë ndodhur, duke përmirësuar kështu kushtet e jetesës, mirëpo edhe duke mundësuar zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik dhe social të qytetit dhe të Komunës së Ferizaj”, tha Rizvanolli.
Kryesuesi i Bordit të drejtoreve në KOSTT, Gëzim Tosuni ka thënë se efektet e këtij nënstacioni pritet që të ndjehen në ditët dhe muajt e ardhshëm në aspektin energjetik.
“Një projekt i cili është gati, kryesisht i mbështetur financiarisht, investim i KOSTT. Efektet e tij pritet që të ndjehen në ditët dhe muajt e ardhshëm… Mirëpo për shkak të kushteve të vështira, temperaturave të ftohta, kontraktoret dhe ekipet e KOSTT-it kanë bërë maksimumin e mundshëm për të përshpejtuar lansimin e këtij projekti. Prej sot qytetarët e Ferizaj nuk do të ngelen pa rrymë për shkak të KOSTT-it”, tha Tosuni.
Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri tha se ky investim është i një teknologjie të fundit dhe do të sigurojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike.
“Sot po e energjizojme nënstacionin Ferizaj 3. Ky nënstacion është i një rëndësie të veçantë, sepse mbështet qytetarët e Komunës së Ferizaj. Ky nënstacion ka pas sfidat e veta të përfundimit të cilat në bashkëpunim me gjitha palët i kemi tejkaluar. Ky është projekt strategjik i realizuar me përkushtim dhe vizion të të gjithë neve dhe shënon një periudhë të re në Komunën e Ferizaj, sepse do të mbështet qytetarët dhe bizneset në tërësi. Ky nënstacion kap vlerën prej rreth 7.8 milionë euro së bashku me linjën 3.31 kilometra. Ky investim është i një teknologjie të fundit dhe do të sigurojë furnizim të pandërprerë…Kërkojmë ndjese për çfarëdo ndërprerje që ka ndodhur e cila është shkaktuar për nevojat e ruajtjes së stabilitetit të energjisë dhe shpresojmë që në të ardhmen nuk do të ketë më reduktime ”, tha Zeqiri.
Gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, qytetarët e vendit, veçanërisht ata të zonës së Ferizajt u përballen me mungesë të energjisë elektrike.