Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë ditëve të fundit është regjistruar rritje e ndotësve në ajër në disa zona të vendit, bazuar në të dhënat e monitorimit të cilësisë së ajrit.
Sipas njoftimit, përkeqësimi i cilësisë së ajrit është shkaktuar nga mjegulla e dendur, lagështia e lartë, mungesa e erërave dhe fenomeni i inversionit termik, të cilat kanë krijuar kushte që favorizojnë grumbullimin e ndotësve në shtresat e ulëta të atmosferës.
“Ulja e temperaturave ka rritur nevojën për ngrohje, duke sjellë rritje të emetimeve ndotëse në ajër”, thuhet më tej në komunikatë.
IHMK thekson se po e monitoron situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe u rekomandon personave të ndjeshëm të kufizojnë ekspozimin e gjatë në ambiente të jashtme deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.






