Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin A.I., i cili dyshohet për kanosje ndaj ekipit të Gazetës Nacionale dhe një monitoruesi të organizatës “Betimi për Drejtësi”.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur më 30 janar 2026, rreth orës 14:30, në ambientet e Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega në Viti, pas përfundimit të një seance gjyqësore. I dyshuari, sipas prokurorisë, iu është drejtuar gazetarëve dhe monitoruesit në mënyrë kërcënuese, përmes veprimeve konkludente, të cilat janë dokumentuar edhe përmes pamjeve video nga kamerat e sigurisë.
Pas incidentit, i dyshuari ishte shpallur në kërkim policor, pasi kishte qenë i paarritshëm për organet e rendit. Ai është arrestuar më 3 shkurt 2026, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit të rastit, është ndaluar për 48 orë.
Rasti po trajtohet si vepër penale “Kanosje”, sipas nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.






