Hetuesit e Njësitit për Krime Ekonomike, në mesditë bastisën zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Për afro një orë qëndruan brenda, e cak i tyre ishin dy kontrata për investime në Bllokun A5, mëson televizioni.
Edhe pse Policia e Kosovës e ka konfirmuar bastisjes, zyrtarë të KEK-ut nuk kanë informacione rreth kësaj situate.
“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sot ka pasur një kontroll nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth arsyeve të këtij kontrolli. Lidhur me këtë, KEK-u si gjithmonë mbetet i hapur për bashkëpunim me organet e rendit dhe do të ofrojë qasje të plotë në cilëndo kërkesë nga këto organe”, thuhet në reagimin e KEK-ut.
Pas zyrave, hetuesit bastisën edhe shtëpinë e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Për shkak të këtij kontrolli, Krasniqi pati nevojë edhe për trajtim në Klinikën Emergjente, sipas avokatit, për shkak të shqetësimit, por megjithatë nuk ka qëndruar në spital.
Pas largimit nga QKU-ja, Prokuroria Speciale njoftoi se ka arrestuar Krasniqin nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Krasniqi është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh. /atvlive.tv