Rreth 800 artistë nga fusha të ndryshme të artit kanë nënshkruar një letër të hapur, duke akuzuar kompanitë e teknologjisë për përdorimin e paautorizuar të veprave të mbrojtura me të drejta autoriale për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale.
Mes nënshkruesve janë emra të njohur si Scarlett Johansson, Cate Blanchett, grupi REM, si dhe krijuesi i serialit Breaking Bad, Vince Gilligan. Letra është publikuar nga lëvizja “Vjedhja nuk është inovacion”, pjesë e Fushatës Human Artistry.
Në dokument, artistët kërkojnë që kompanitë e inteligjencës artificiale të ndërtojnë partneritete etike dhe ligjore, në vend të, siç thuhet, “vjedhjes së përmbajtjeve kreative”.
“Komuniteti krijues i Amerikës është zilia e botës dhe kontribuon ndjeshëm në punësim, rritje ekonomike dhe eksporte. Megjithatë, disa nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë po përdorin punën e krijuesve pa autorizim dhe pa respektuar ligjin e të drejtave të autorit,” thuhet në letrën e hapur.
Aktualisht, në Shtetet e Bashkuara janë rreth 60 padi aktive kundër kompanive të inteligjencës artificiale, të ngritura nga krijues dhe mbajtës të të drejtave autoriale. Procese të ngjashme po zhvillohen edhe në Evropë.
Kompanitë e IA-së trajnojnë modelet e tyre me sasi të mëdha të dhënash – tekst, imazhe, muzikë dhe video – shumica e të cilave janë marrë nga interneti. Artistët pretendojnë se ky material është përdorur pa leje, ndërsa kompanitë mbrohen duke argumentuar se bëhet fjalë për “përdorim të drejtë” (fair use).
Debati u përforcua më shumë në vitin 2024, kur Scarlett Johansson reagoi publikisht ndaj OpenAI, pasi një nga zërat e funksionit “Advanced Voice” ishte shumë i ngjashëm me zërin e saj në filmin Her (2013). Pas reagimit dhe ndërhyrjes ligjore, kompania vendosi ta ndalojë përdorimin e zërit të quajtur “Sky”.
Çështja e të drejtave autoriale dhe inteligjencës artificiale po shndërrohet në një nga debatet më të mëdha globale mes teknologjisë dhe industrisë kreative.






