Hetimi i krimeve të luftës, strategjisë i përfundon mandati

Përgatiti: Nora Luta

25 vjet pas përfundimit të luftës Kosova ende nuk ka dokumentim zyrtar të krimeve të kryera gjatë kësaj periudhe.

Një strategji për hetimin e krimeve të luftës për herë të parë u miratua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës në vitin 2019, por mandati i ka përfunduar në fundin e vitit të kaluar.

Nga KPK-ja thonë se strategjia e re së shpejti do të procedohet për miratim.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës pritet që së shpejti të procedojë për miratim draftin e Strategjisë për Krime të Luftës në Kosovë (2024-2026). Ky akt është trajtuar dhe analizuar me profesionalizëm dhe përkushtim nga trupat dhe grupet përkatëse të punës, të themeluara nga Këshilli Prokurorial”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.

Andaj, duke ju falënderuar për interesimin tuaj, KPK-ja thekson se kjo strategji është një ndër dokumentet më të rëndësishme të procesit të punës të Prokurorisë Speciale dhe natyrisht edhe të mekanizmave të sistemit prokurorial, e cila do të shërbejë konkretisht për fuqizimin dhe planifikimin adekuat të bërjes së hetimeve dhe ndjekjes së krimeve të luftës në Kosovë.
Por duke marrë shembull shtetet sikurse Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina, juristët thonë se Kosova ka nevojë për një strategji nacionale.

“Një strategji e tillë është e nevojshme, duke përfshirë të gjithë akterët si në hartimin e saj, pastaj edhe në materializimin e saj. Kjo nënkupton që nga financimi i nevojshëm, ngritjen e kapaciteteve, dhe forcimin e kapaciteteve aktuale. Pa një mbështetje institucionale këto mekanizma nuk do të mund të sjellin rezultat”, tha Valdet Hoxha, jurist.

Nga Fondi për të Drejtën Humanitare thonë se Qeveria përveç tjerash duhet të insistojë që mekanizmat aktualë të kryejnë punën më mirë. Sipas tyre duhet të ketë një strategji të qartë edhe për Institutin e Krimeve të Luftës.

“Qeveria ka insistuar shumë në themelimin e Institutin për Krime Lufte, mendoj që duhet me pas strategji të qartë se si do të funksionoj. Strategji të ngjashme në të kaluarën ka përpiluar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, por ky dokument ka të bëjë vetëm me prokurorinë në ndjekjen e krimeve të luftës. Mbetet të shihet nëse do të kemi një strategji nacionale, edhe pse Qeveria sigurisht duhet të insistoj që mekanizmat aktualë ta kryejnë punën sa më mirë dhe të dokumentohen krimet e luftës”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitar.

Nga Ministria e Drejtësisë nuk kanë kthyer një përgjigjeje gjatë ditës nëse e kanë në planin e punës hartimin e një strategjie nacionale për trajtimin e krimeve të luftës. Por jo zyrtarisht burime brenda këtij institucioni i kanë thënë televizionit se në kuadër të strategjisë aktuale janë ndërmarrë iniciativa për plotësimin e zbrazëtirave ligjore, dhe veprime për ngritjen e kapaciteteve të Prokurorisë Speciale duke e rritur buxhetin.

Ndërkohë një ndër rekomandimet e vazhdueshme të Fondit për të Drejtën Humantiare në rritjen e efikasitetit të hetimeve të krimeve të luftës ka qenë që Qeveria të angazhohet që në dialogun me Serbinë të vendoset edhe bashkëpunimi juridik me këtë shtet.

Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA