spot_imgspot_img
spot_img

Hasani: Seanca për zgjedhjen e Qeverisë është jokushtetuese – Osmani ka shkelur Kushtetutën me dekretimin e Kurtit

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka cilësuar jokushtetuese seancën e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së re, e cila pritet të mbahet të dielën, më 26 tetor. Sipas tij, presidentja Vjosa Osmani ka shkelur Kushtetutën me dekretimin e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si mandatar për formimin e qeverisë, në një kohë kur Kuvendi ende “nuk është konstituuar ligjërisht”.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani ka theksuar se Osmani është “ngutur në mënyrë arbitrare” duke konstatuar se Kuvendi është konstituuar, ndonëse kjo çështje është ende në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, pas ankesës së Listës Serbe.

“Zonja Osmani, me ngutjen e treguar, ka bërë një shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës – më të rëndë se rasti i Fatmir Sejdiut – sepse ka prishur parametrat e funksionimit të organeve kushtetuese”, ka deklaruar Hasani.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese është dashur të vendosë paraprakisht për kërkesën e Listës Serbe, e cila konteston zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit, përfaqësues nga komuniteti serb. Hasani thotë se kërkesa e Listës Serbe “është e bazuar dhe me substancë”, pasi sipas aktgjykimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, propozimi për nënkryetar nga komuniteti serb duhet të vijë nga partia që ka shumicën e votave serbe – në këtë rast, Lista Serbe.

“Ky nuk ka qenë rasti, sepse kandidatura e Rashiqit u propozua nga një deputet shqiptar, Dimal Basha, i cili ka manipuluar procesin me qëllim të mohimit të përfaqësimit politik të serbëve”, ka shtuar Hasani.

Ai paralajmëron se mbajtja e seancës së së dielës për votimin e Qeverisë “është jokushtetuese në tërësi”, pasi Kuvendi “nuk është konstituuar sipas urdhrit të tri aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”.

Hasani vlerëson se dekretimi i Kurtit në fundjavë “cenon neutralitetin dhe rolin ndërmjetësues të presidentes”, dhe se një veprim i tillë “mund të ndodhë vetëm në kushte të jashtëzakonshme”.

“Nëse formohet Qeveria të dielën, ajo do të shpallet jokushtetuese brenda 60 ditëve”, ka paralajmëruar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Ai shton se një vendim i ardhshëm i Gjykatës Kushtetuese në favor të Listës Serbe do të anulonte tërë procesin e formimit të ekzekutivit, ndërsa në rast të kundërt “do të rrënohej përfundimisht parimi themelor kushtetues i formimit të organeve qendrore pas zgjedhjeve”.

Në fund, Hasani ka paralajmëruar pasoja të rënda institucionale dhe politike nga këto veprime, duke theksuar se “sjelljet e fundit të pushtetit vetëm sa e thellojnë ndarjen juridiko-kushtetuese mes komuniteteve në Kosovë dhe rrezikojnë federalizimin e vendit”.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA