Përfaqësuesit komunalë të Mitrovicës së Veriut, të cilët votuan për lirimin për qarkullim të urës së Ibrit, ende po presin leje nga Ministria e Punëve të Brendshme për këtë çështje.
Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve nga ana e ndërkombëtarëve, kryesuesi i kuvendit komunal është i bindur se qeveria do ta përkrahë lirimin e rrugës.
“Jo hala s’kemi marrë, por vendimi i qeverisë është legjitim, sepse kemi pasë përkrahje për vendimin në nivel qendror, në nivel lokal nga niveli qendror kemi pas përkushtimin sa ma të madh për vazhdim të punës”, tha kryesuesi i Kuvendit, Nedzat Ugljain.
Banorët shqiptarë të Mitrovicës së jugut i gëzohen hapjes së urës, derisa thonë se do të lehtësohej edhe qasja në pjesën tjetër të qytetit.
“Nashta najherë bahet veç njëherë jo se me kanë mu ba u kanë shumë mirë, mas pari këtu e kemi xhaminë, u dashtë m’u ndertu edhe ajo, qysh oshtë kisha atje, këtu kanë faj qeveritarët. Shpresoj mu ba mirë se ky vendi jonë oshtë”, thotë një banor.
“Mirë është shumë, s’po varet prej neve se me dashtë e kishim hapë sot, po kismet ka me u hapë. Nuk varet prej neve, krejt prej ndërkombëtarëve, me u var prej neve tash e kishim çelë”, tha një tjetër banor.
Ndërsa, serbët e Mitrovicës së veriut zbatimin e një vendimi të tillë e shohin të pamundur.
“Jo, kanë kaluar aq shumë vjet dhe nuk besoj se as kësaj radhe nuk do të hapet dhe mendoj se nuk janë krijuar kushte që të hapet ura në këtë moment”, tha një qytetar serb.
“Kjo nuk është ide aspak e mirë, këtu flitet gjoja për një liri të lëvizjes e në anën tjetër është duke u ndërtuar një mur vërtet kinez kah pikëkalimet në Jarinjë dhe Bërnjak. Kjo nuk mund të shkojë kështu, më në fund kemi edhe në urë të Bistricës një punkt, po ashtu kemi edhe në urën e Bistricës një pikë kontrolli që gjendet në rrugë edhe kjo nuk është korrekte dhe fer, nuk ka askund kështu dhe kjo mund të krijojë vetëm konflikte dhe tension”, deklaroi një tjetër qytetar serb.
Pas luftës në Kosovë, ura mbi lumin Ibër ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe në atë veriore, me shumicë serbe.
Ndërkaq, vendimi për lirimin e urës së Ibrit u mor më 28 prill në kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën këtë muaj. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: