10.7 C
Pristina
Thursday, March 5, 2026

Hamza: Prekazi u bë altar i lirisë, ndërsa familja Jashari simbol i qëndresës së një populli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe simbolizon sakrificën e familjes Jashari për lirinë e vendit.

Në seancën solemne të Epopesë së UÇK-së, Hamza tha se janë mbledhur jo vetëm për të kujtuar një ngjarje historike, por për të nderuar një moment që, sipas tij, i dha drejtim historisë së Kosovës.

“Sot jemi mbledhur në këtë sallë jo vetëm për të kujtuar një ngjarje historike, por për të nderuar një moment që i dha historisë sonë Epopejën e UÇK-së dhe rënien heroike të familjes Jashari në Prekaz”, ka deklaruar Hamza.

Ai theksoi se më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 një familje shqiptare vendosi të qëndrojë në pragun e shtëpisë së saj përballë një ushtrie të tërë pushtuese.

“Sidoqoftë, ato tri ditë nuk janë vetëm një betejë në kalendarin e historisë sonë. Ato janë një mësim i përhershëm për vetë kuptimin e lirisë, sepse ka momente kur historia nuk shkruhet nga numrat, nga fuqia ushtarake apo nga kalkulimet politike, por nga vendimet morale të njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen”, u shpreh Hamza.

Sipas tij, pikërisht në ato tri ditë të marsit historia mori një formë tjetër.

“Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, ai u bë një altar i lirisë, ndërsa familja Jashari u bë simbol i qëndresës së një populli të tërë”, theksoi ai.

Hamza shtoi se ngjarjet e marsit 1998 duhet të kujtohen në tërësinë e tyre, duke rikujtuar se forcat serbe kishin ndërmarrë disa herë sulme ndaj familjes Jashari para se të ndodhte rrethimi i fundit.

“Brenda pak viteve forcat serbe kishin sulmuar tri herë këtë familje. Dy herët e para u zmbrapsën, sepse në atë kullë nuk qëndronte thjesht një familje, por një vullnet i pathyeshëm për çlirim. Herën e tretë, në mars të vitit 1998, regjimi serb vendosi të përdorte gjithë makinerinë ushtarake”, tha ai.

Sipas Hamzës, rrethimi i Prekazit zgjati tri ditë dhe u shndërrua në simbol të rezistencës.

“Tri ditë rezistencë dhe heroizëm. Tri ditë kur burra, gra dhe fëmijë luftuan për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Hamza.

Hamza po ashtu tha se : “Adem Jashari kishte thënë ‘Vetëm nje vdekje e kemi në këtë jetë dhe një fjalë të mirë në grykë të pushkës’. Në këto pak fjalë përmblidhet e tërë filozofia e asaj që ndodhi në ato tri ditë”, tha ndër të tjera Hamza.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA