Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se inflacioni në Kosovë po vazhdon dhe rritja ekonomike është nën 4%.
Hamza ka thënë se kërkohet më shumë targetim i skemave sociale, jo vetëm për t’iu dhënë para në kërkim të votës, por për t’i targetuar ato kategori për t’i nxjerrë nga gjendja.
“Inflacioni vazhdon, norma e rritjes ekonomike nën 4 %. Ndryshimet në strukturën e shpenzimeve e kanë përkeqësuar strukturën, në dëm të parasë publike. Janë shpërnda para, ku kërkohet më shumë targetim i skemave sociale. Jo vetëm me dhënë para për me kërkuar votë, por me i targetu kategoritë që me i nxjerrë prej asaj gjendje”, ka thënë Hamza.
Hamza ka thënë se Qeveria Kurti nuk është kujdesuar për zhvillim ekonomik e përmirësim të standardit të jetesës, por vetëm për blerje të votës përmes parasë publike.
Kreu i PDK’së ka thënë e kategoritë sociale duhet të përkrahen, por me ligj.
Hamza tha se Qeveria nuk është duke i lexuar as zhvillimet dhe indikatorët makroekonomikë dhe financiarë.
“Kemi raportin e fundit të FMN-së, i cili nuk thotë diçka më tepër se ato që i kemi thënë ne. Rritja ekonomike, për vitin 2025, vlerësohet se është 3.6, që është më e ulëta me vitet e fundit. Për më keq, parashikimet janë edhe më të zbehta, ku për vitin 2026 parashihet rritje ekonomike prej 3.3 për qind”.
“Inflacioni, për me thënë në gjuhën popullore, rritja e çmimeve dhe përkeqësimi i standardit të jetesës së qytetarëve të Kosovës, varfërimi i qytetarëve, në shkurt të këtij viti në krahasim me shkurtin e vitit paraprak, është 6%. Prandaj, ne e përkrahim çdo masë e cila shkon në drejtim të përmirësimit të standardeve të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh deputeti i PDK-së.






