Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, u ka bërë thirrje ish-bashkëluftëtarëve që ta shmangin kalimin nëpër Serbi, pas publikimit të emrave të pjesëtarëve të Brigadës 111 “Adem Jashari” dhe Brigadës 121 “Kumanova” nga lëvizja serbe “Zemra e Heronjve”.
Kjo lëvizje që përfaqëson pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake pjesëmarrëse në luftërat në ish-Jugosllavi, ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë dhe Prokuroria Serbe për Krime Lufte që t’i verifikojnë emrat e publikuar dhe të përcaktojnë nëse, sipas pretendimeve të saj, ndonjëri prej tyre është i përfshirë në krime.
Po ashtu, ajo ka kërkuar nga Interpoli lëshimin e urdhërarresteve ndërkombëtare ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa listat ua ka dërguar edhe policive të disa vendeve të Bashkimit Evropian për veprime të mëtejshme.
Gucati, përmes KosovaPress i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos bie nën kurthin e Serbisë që të ndalojnë shtetasit e Kosovës.
“Ne e dimë që Serbia nuk mendon mirë kurrë për shqiptarët e Kosovës, sidomos për pjesëtarët e UÇK-së. Ne kemi bërë thirrje edhe më herët, do bëjmë edhe këtu, veteranëve që mos të kalojnë nëpër Serbi. Të kenë kujdes, sidomos këto dy brigada, shkak që tash kanë dalur edhe publikisht nga çetnikët serb të cilët kërkojnë të bëjnë verifikimin e tyre dhe të ndalojnë shokët tonë. Është e vërtetë që kanë kërkuar nga Interpoli dhe shtetet përreth që të ndalen të gjithë pjesëtarët e UÇK-së. Unë i bëj thirrje vendeve të Evropës që të mos bien nën kurthin e Serbisë, të cilët dëshirojnë gjithmonë të destabilizojnë vendin tonë. Ne e dimë që Serbia edhe kur të flejë në gjumë e k ëndërr Kosovën për ta marrë, por ajo punë ka vdekur”, tha Gucati.





