Gruaja e akuzuar për të shtënat me armë në shtëpinë e Rihannës, Ivana Lisette Ortiz, kishte postuar disa mesazhe shqetësuese dhe frikësuese drejtuar këngëtares vetëm disa javë para incidentit.
Sipas mediave ndërkombëtare, në muajt para ngjarjes, Ortiz e kritikoi ashpër Rihannën në video të publikuara në kanalin e saj në YouTube, të titulluara “Ditari i një gruaje që lutet”.
“Rihanna, kur të vdesësh, Zoti do të më udhëzojë drejt të ardhmes sime”, u shpreh Ortiz në një video dy muaj më parë, duke shtuar më pas: “Do të më vrasësh? Hesht. Në rregull, hesht. Po, ajo është shtrigë. Ajo është shtrigë. Unë jam roja. Ajo është shtrigë. Largojeni atë vajzë budallaqe që këtej, në rregull”.
Në një tjetër video, ajo tha: “Rihanna është shumë xheloze atje”, dhe fytyrën e saj e përshkroi si “e djallit”. Ortiz e akuzonte këngëtaren se përpiqej ta vidhte dhe e kritikonte muzikën e saj: “Ajo kurrë nuk publikoi muzikë për të arritur njerëzit. Ajo publikoi muzikën e saj të vogël vetëm që të mund të praktikonte magji. Dhe kështu ajo mund të vidhte nga njerëzit. Prandaj ju lutem, të gjithë ndaloni… mos e dëgjoni, mos e ndiqni… sepse ajo po ju vjedh”.
Ortiz gjithashtu shprehu zemërim ndaj shumë personazheve të famshëm, duke përfshirë Kim Kardashian, të cilën e quante “budallaqe”.
Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën, kur shtëpia e këngëtares në Beverly Hills u bë cak i të shtënave. Sipas raportit të policisë, Ortiz qëlloi disa herë nga makina e saj drejt shtëpisë së Rihannës, por askush nuk u lëndua. Ajo u arrestua dhe u akuzua për tentativë vrasjeje.






