Kompania Google, në pronësi të Alphabet Inc., ka nënshkruar një marrëveshje me Pentagonin për përdorimin e modeleve të saj të inteligjencës artificiale në procese të klasifikuara, sipas një raportimi të medias The Information që citon burime të njohura me çështjen.
Marrëveshja i lejon Departamentit Amerikan të Mbrojtjes të përdorë teknologjinë e inteligjencës artificiale të Google për “çdo qëllim të ligjshëm qeveritar”, duke e vendosur kompaninë në të njëjtin nivel me ofrues të tjerë si OpenAI dhe xAI, kompania e Elon Musk, të cilat kanë gjithashtu kontrata për përdorimin e AI në mjedise të klasifikuara.
Rrjetet e klasifikuara përdoren për aktivitete të ndjeshme, përfshirë planifikimin e operacioneve ushtarake dhe përcaktimin e objektivave për sistemet e armatimit. Sipas raportimit, Pentagoni ka nënshkruar gjatë vitit 2025 kontrata që arrijnë deri në 200 milionë dollarë me kompani të mëdha të fushës së inteligjencës artificiale, përfshirë Anthropic, OpenAI dhe Google. Qëllimi është të ruhet fleksibilitet i plotë në sektorin e mbrojtjes, pa kufizime të vendosura nga vetë kompanitë mbi përdorimin e teknologjisë në sisteme armësh.
Marrëveshja me Google parashikon që kompania të ndihmojë, me kërkesë të qeverisë, në përshtatjen e parametrave të sigurisë dhe filtrave të modeleve të saj.






