Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tiranën pasditen e së hënës. Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, është qëlluar për vdekje brenda sallës së gjyqit nga njëra prej palëve të përfshira në proces.
Sipas Policisë së Shtetit, autori i dyshuar është Elvis Shkëmbi, 30 vjeç, i cili ka qenë palë në çështjen gjyqësore. Ai ka qëlluar me armë zjarri ndaj gjyqtarit dhe më pas edhe drejt palës tjetër në proces – babë e bir, R. K. (65) dhe E. K. (45) – të cilët mbetën të plagosur, por janë jashtë rrezikut për jetë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ndërsa më pas zona u rrethua nga njësi të shumta të policisë.
Autori është arrestuar në vendngjarje, ndërsa policia ka sekuestruar edhe armën e krimit. Në njoftimin zyrtar thuhet se ai është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për hetime të mëtejshme.
Sipas raportimeve në mediat shqiptare, shkak i krimit dyshohet të jetë një konflikt pronësor. I dyshuari thuhet se ka deklaruar pas arrestimit se “e qëlloi gjyqtarin sepse po humbiste rastin, edhe pse ishte korrekt me dokumentet”.
Më herët, Elvis Shkëmbi është denoncuar nga dhjetëra familje në Shkodër për çështje të ngjashme pronësore.
Ngjarja është dënuar gjerësisht nga politika dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat e kanë cilësuar si një sulm të papranueshëm ndaj sistemit të drejtësisë.
Sipas mediave shqiptare, gjyqtari Astrit Kalaja kishte shërbyer për gati dy dekada në sistemin e drejtësisë shqiptare.