Përgatiti: Nora Luta
Në seancë publike ka filluar dëshminë e tij, Halil Çadraku në procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.
Çadraku që udhëhiqte gjatë luftës me sektorin e Zbulim-Kundërzbulimit në Zonën e Pashtrikut, ka thënë se në strukturat serbe kishte edhe shqiptarë.
Sipas Çadrakut, Kundërzbulimi kishte për detyrë të ruante territorit nga personat e pauniformuar.
Çadraku, Jakup Krasniqin e ka përshkruar si zëdhënës të UÇK-së, e për Hashim Thaçin ka thënë të mos e ketë njohur mirë, ndërsa Rexhep Selimin e kishte takuar dy herë në Shqipëri.
Halil Çadraku, dëshmia e të cilit do të vazhdojë edhe të martën, në këtë proces gjyqësor është përmendur disa herë.
Gjatë dëshmisë së tij, Sadik Halitjaha kishte deklaruar se ai me Vesel Maliqin dhe Halil Çadrakun e përbënin zinxhirin komandues të Zonës Operative të Pashtrikut.
Ndërsa, dëshmitari Kurtesh Fondaj gjatë intervistimit nga ZPS-ja kishte thënë se Çadraku duhej t’i raportonte Ekrem Rexhës, por mbante kontakte me Kadri Veselin.
Çadraku ishte përmendur edhe në gjykimin e Sali Veselit lidhur me akuzat për vrasjen e Ekrem Rexhës.