Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara vendosi të premten të ruajë qasjen që gëzojnë gratë tek ilaçi që përdoret për abort, deri në përfundimin e një procesi gjyqësor mbi këtë çështje.
Në këtë mënyrë, Gjykata vendosi pro kërkesave urgjente të administratës Biden dhe prodhuesit të ilaçit “mifepristone”, për të mos lejuar zbatimin e një vendimi të një gjykate më të ulët, që synonte ta ndalonte pilulën në të gjithë vendin, transmeton atvlive.tv.
Ilaçi është miratuar për përdorim në SHBA që nga viti 2000 dhe atë e kanë përdorur më shumë se 5 milionë gra.
“Mifepristoni” përdoret i kombinuar me një ilaç të dytë, “misoprostolin”, në më shumë se gjysmën e të gjitha aborteve që janë kryer në SHBA.
Me këtë vendim, gjasat janë që qasja tek mifepristoni të jetë e garantuar të paktën deri vitin e ardhshëm, ndërsa vazhdon beteja në gjykatën e apelit.
Presidenti Joe Biden vlerësoi vendimin e Gjykatës Supreme, që ruan qasjen tek pilula, ndërsa beteja gjyqësore vazhdon.
Biden tha nëpërmjet një deklarate se “rreziqet nuk kanë qenë ndonjëherë më të larta për gratë në të gjithë Amerikën dhe se ai do të vazhdojë betejën ndaj sulmeve të motivuara politikisht ndaj shëndetit të grave”.
Sfida ligjore kundër “mifepristonit”, ngritur nga kundërshtarët e abortit, është polemika e parë mbi abortin që arrin në gjykatën më të lartë të vendit, që kur shumica konservatore, 10 muaj më parë hodhi poshtë vendimin historik “Roe kundër Wade”, duke lejuar më shumë se 12 shtete ta ndalojnë abortin.
Por edhe pas kësaj fitoreje, kundërshtarët e abortit u rikthyen tek gjykatat federale me një objektiv të ri: kundërshtimin e ilaçeve për abort, të cilat përdoren në më shumë se gjysmën e rasteve të abortit në të gjithë vendin. /atvlive.tv