PËRGATITI: NORA LUTA
Vetëm ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, nga pesë të akuzuarit e fundit për pengim të drejtësisë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, është në liri.
Madje, Kuçit Gjykata Speciale ia ka lejuar pjesëmarrjen online nga Kosova, në seancat e ardhshme përgatitore.
Por, siç thuhet në urdhrin rreth seancës së ardhshme përgatitore, nëse nuk paraqitet pa miratimin e gjykatës, ajo menjëherë do të urdhërojë paraburgimin.
Megjithatë, Gjykata Speciale nuk ka treguar nëse tashmë ka marrë vendim rreth kërkesës të ZPS-së, që Kuçit t’i ndalohet komunikimi me Thaçin, të akuzuarit e tjerë dhe persona, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Sipas juristëve, kur parashtrohet kërkesa për masën e sigurisë, organi i akuzës i vlerëson disa kushte.
Në këtë rast, sipas tyre, ZPS-ja ka vlerësuar se prezenca e Kuçit mund të sigurohet në këtë mënyrë.
Derisa për çdo të akuzuar kur nuk i bindet masave të urdhëruara nga Gjykata, ka pasoja.
Ish-ministri i Drejtësisë është deklaruar i pafajshëm rreth akuzave të Speciales, për pengim të drejtësisë dhe ndikim të dëshmitarëve.
Përveç Kuçit, ZPS-ja për të njëjtat akuza po i ngarkon edhe ish presidentin Hashim Thaçi, ish-shefin e AKI-së, Bashkim Smakaj, Isni Kiljan dhe Fadil Fazliun.
Seanca e radhës, gjatë së cilës pritet të deklarohen Smakaj dhe Thaçi do të mbahet më 17 dhjetor./ATVLIVE.TV/