Përgatiti: Fatlum Jashari
Gjykata Kushtetuese në Serbi ia ka hedhur poshtë kërkesën për kthimin e adresës së pasivizuar në Medvegjë një qytetari të saj me kombësi shqiptare.
Këtë vendim, deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, e vlerësoi si “legjitimim të spastrimit etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës” dhe vazhdimësi të vendimit që lejon gjuhën e urrejtjes dhe termet fyese ndaj shqiptarëve.
“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, përveç që dëshmon diskriminimin ndaj shqiptarëve, në të njëjtën kohë pasqyron më së miri mungesën e demokracisë dhe funksionimin autokratik të këtij shteti. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, nuk duhet dhe nuk guxon të zmbrapsë betejën tonë të përbashkët për barazi, prandaj ftoj të gjithë qytetarët e pasivizuar, të nisin procedura gjyqësore për kthimin e adresave…”, tha Kamberi.
Ai paralajmëroi adresim të çështjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Mbështetje për procedurë ndërkombëtare, paralajmëruan edhe në Këshillin Kombëtar Shqiptar.
“Edhe institucioni më i lartë i Drejtësisë në Serbi e legalizoi pasivizimin e adresave. Safetit i është hapur rruga për në Strasburg dhe ai do ta ndjekë atë. Ky spastrim etnik duhet të ketë verdikt ndërkombëtar”, tha kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu.
Përfaqësuesi tjetër i shqiptarëve, Ragmi Mustafi, vendimin e vlerësoi si përligjje të aparteidit dhe spastrim etnik me mjete administrative.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë për Safet Demirin e shndërron në normë një praktikë diskriminuese dhe sistematike si pasivizimi i adresave, që ka në shënjestër shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ky vendim është një shuplakë për të drejtat themelore të njeriut dhe një dëshmi e fortë pse shqiptarët nuk kanë as besim, as arsye për t’i besuar drejtësisë së Serbisë”, tha Mustafa.
Kundër vendimit reagoi edhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila tha se nëpërmjet këtij vendimi kundërkushtetues, Serbia synon dekurajimin e shqiptarëve në betejën për drejtësi e barazi.
Sipas Këshillit Kombëtar Shqiptar, më shumë se 6 mijë adresa të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc janë pasivizuar, deri tani.