Policia e Kosovës e ka gjobitur me 300 euro ngasësin e kamionit mikser që është incizuar sot duke derdhur çimenton nëpër rrugë në Prishtinë.
Shoferi është gjobitur për mos sigurim të ngarkesës teksa është gjobitur edhe kompania.
“Sipas ligjeve në fuqi, ndalohet dalja në rrugë nga vendpunishtet apo rrugët e ndotura pa u siguruar paraprakisht që mjeti është i pastër dhe nuk shkakton ndotje të sipërfaqes rrugore. Në rastin konkret, mjeti ka qarkulluar duke ndotur rrugën, si pasojë e mos sigurimit të ngarkesës”, thuhej në njoftim.
“Ndaj drejtuesit të mjetit është shqiptuar gjobë për mos sigurim të ngarkesës, ndërsa po ashtu është shqiptuar edhe gjobë ndaj firmës, në emër të personit juridik”, thuhej më tej.
Policia e Kosovës do të vazhdojë kontrollet dhe masat ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat e qarkullimit dhe rrezikojnë sigurinë në trafik apo ndotin ambientin, duke apeluar për respektim të ligjit dhe përgjegjësi gjatë pjesëmarrjes në trafik.






