Tirana është gati. Kryeqyteti shqiptar do të jetë sot nikoqir i samitit të Procesit të Berlinit, ku janë mbledhur krerët më të lartë të Bashkimit Evropian, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron dhe të gjithë liderët rajonal, raporton kp.
Pjesë e samitit është edhe kryeministri Albin Kurti, i cili krahas takimeve të përbashkëta, do të ketë takim bilateral edhe me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Në bazë të agjendës samiti do të nis në orën 11:00 ku do të bëhet pritja e liderëve nga nikoqiri, kryeministri Edi Rama.
Më pas do të hapet sesioni i punës ku pritet që udhëheqësit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë Hercegovinës pritet të nënshkruajnë ujdinë për njohjen e ndërsjelltë edhe të katër profesioneve, ku përfshihen kirurgët, mamitë dhe veterinarët, të cilat do t’i shtohen profesioneve që tashmë janë rregulluara për mjekët, dentistët dhe arkitektët.
Po ashtu do të synohet të ketë deklarata të përbashkëta për lehtësimin e tregtisë dhe transportin, për mbrojtjen e ambientit dhe partneritetit për klimën.
Ndërkaq nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pritet të jepet propozimi për “Planin e rritjes” i cili ka fokus zgjerimin dhe përafrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Ndërkaq pasditen e sotme do të jetë konferenca e përbashkët për medie e kryeministrit Edi Rama, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Samiti i liderëve të Procesit të Berlinit për herë të parë do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian.