Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se disa pagesa në vlerë totale prej 225 mijë e 570 euro të Ministrisë së Arsimit nuk janë nënshkruar nga zyrtari i autorizuar.Kjo është një nga gjetjet e ZKA-së në raportin e auditimit për Ministrinë e Arsimit për vitin 2025.
Sipas ZKA-së, bëhet fjalë për tetë pagesa në Agjencinë për Aftësim Profesional dhe Arsimin për të Rritur (AAAPARr) që nuk janë nënshkruar nga personi i autorizuar.
“Mungesa e nënshkrimit nga zyrtari i autorizuar për pagesat që kanë vlerë mbi 1 mijë euro dobëson kontrollet e brendshme në fazën e pranimit të mallrave dhe shërbimeve dhe mund të ndikojë në procesimin e pagesave pa verifikim të plotë.” – thuhet në raportin e ZKA-së.
ZKA vlerëson se kjo ka ndodhur si rezultat i mosfunksionimit të duhur të kontrolleve të brendshme dhe mungesës së verifikimit të plotë të dokumentacionit para procedimit të pagesës.Ministria e Arsimit është pajtuar në lidhje me këtë gjetje të auditorëve.
Kurse, ZKA ka rekomanduar që ministri i Arsimit të sigurojë forcimin e kontrolleve të brendshme, në mënyrë që raporti i pranimit të mallit të nënshkruhet nga personi autorizues, para procedimit të mëtejmë të dokumentacionit për pagesë.
Gjatë kësaj kohe të auditimit, Arbërie Nagavci ka qenë ministre e Arsimit dhe Fikrije Zymberi është drejtoreshë në AAAPARr, kurse nga data 18.02.2026 është Hajrulla Çeku.
Ky raport ka rezultuar me 9 rekomandime, prej tyre një i ri dhe tetë të përsëritura. Kurse, nga rekomandimet e vitit të kaluar, Ministria e Arsimit ka zbatuar 7 prej 15 rekomandimeve të dhëna.
Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë Opinion të kualifikuar Ministrisë së Arsimit në Raportin e auditimit për Pasqyrat financiare për vitin 2025. Opinioni i kualifikuar është Opinioni i dytë më i mirë që u jepet institucioneve pas Opinionit të pamodifikuar.
Ky Opinion jepet kur ka keqdeklarime dhe mospajtueshmëri në Pasqyrat financiare.Raportin e plotë të audimit të Ministrisë së Arsimit nga ZKA e gjeni në këtë LINK.





