Të martën në mbrëmje shpërtheu një zjarr në një autobus postar në Kerzers, në kantonin e Fribourgut, ku si pasojë gjashtë persona mbeten të vdekur.
Dëshmitarët okularë raportojnë se një person i vuri flakën vetes, gjersa video dhe fotografi tregojnë automjetin duke u djegur me intensitet të madh.
Sipas policisë, në këtë tragjedi kanë humbur jetën të paktën gjashtë persona. Pesë persona të tjerë janë plagosur, raporton 20min.ch, transmeton albinfo.ch.
Në një konferencë për shtyp të martën në mbrëmje, policia konfirmoi se zjarri në autobusin postar ishte vendosur qëllimisht. Megjithatë, rrethanat e sakta janë ende nën hetim. Policia nuk komentoi nëse bëhej fjalë për një sulm terrorist.
Një video e siguruar nga kjo redaksi tregon skena pak pasi shpërtheu zjarri. Një person shihet duke vrapuar dhe duke bërtitur, ndërsa duket se ka djegie në duar. Në sfond dëgjohen britma dhimbjeje.
Media 20 Minuten ka vendosur të mos e publikojë videon dhe në vend të saj të tregojë vetëm disa pamje (screenshots) nga ajo.
Në video, burri i plagosur dëgjohet duke thënë në shqip:
“Një burrë i vuri flakën vetes. Ai hodhi benzinë mbi vete dhe pastaj e ndezi.”
Më pas burri ulet në tokë. Një kalimtar i afrohet dhe e pyet nëse ka nevojë për ujë. Burri i plagosur pohon se po.
Deri tani, të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën, ndërkaq disa nga të plagosurit u transportuan me helikopter drejt spitalit.
Sipas policisë, zjarri u vu shpejt nën kontroll.
Ka indikacione se një person i vetëm mund ta ketë shkaktuar zjarrin, por mënyra se si ndodhi saktësisht ende nuk është e qartë. Hetimet për shkakun e zjarrit janë duke vazhduar dhe pritet të zgjasin gjatë gjithë natës. Policia ka hapur edhe një linjë telefonike për informacione: 0800 261 700.






